Scott Bessent: Një marrëveshje ekonomike me Ukrainën aktualisht jashtë bisedimeve

Një marrëveshje ekonomike midis Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës nuk është aktualisht në fokus të bisedimeve, deklaroi sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidenti amerikan Donald Trump duhej të nënshkruanin të premten një marrëveshje që do t’i lejonte SHBA-së akses në mineralet e rralla të Ukrainës.

Por, ky plan u shkatërrua pas një shkëmbimi të nxehtë midis udhëheqësve brenda Zyrës Ovale mbi rrugën drejt një marrëveshjeje paqeje për t’i dhënë fund luftës.

Zelensky kërkoi garanci sigurie, kundërshtoi hapur Trump dhe e quajti presidentin rus Vladimir Putin një “vrasës dhe terrorist”.

Zelensky u detyrua të largohej herët nga Shtëpia e Bardhë pa nënshkruar marrëveshjen për të cilën ishte punuar për javë të tëra.

“Unë mendoj se ne duhet të shohim nëse presidenti Zelensky dëshiron të vazhdojë”, tha Bessent për CBS News.

“Çfarë dobie ka të kemi një marrëveshje ekonomike që do të bëhet e diskutueshme nëse ai dëshiron që luftimet të vazhdojnë. Presidenti Trump dëshiron një marrëveshje paqeje”, theksoi ai.

“Gjithçka që duhej të bënte presidenti Zelensky ishte ta nënshkruante këtë marrëveshje ekonomike”, shtoi Bessent.

”Pra, një marrëveshje nuk është më mbi tryezë?” pyeti moderatorja Margaret Brennan.

Bessent u përgjigj “jo për momentin”.

Para ngjarjes në Shtëpinë e Bardhë, sekretari i Thesarit kishte udhëtuar në Ukrainë për të negociuar marrëveshjen. /ATSH-DPA/

Read Previous

Kosova luan miqësore me Armeninë

Read Next

Edi Rama: Jemi vendi me rritjen më të shpejtë si destinacion turistik