Rritet numri i emigrantëve që mbahen në Guantanamo

Ushtria amerikane tashmë mban rreth 68 persona në burgun e saj në Gjirin e Guantanamos, Kubë, në kuadrin e përpjekjeve për të ndihmuar Departamentin e Sigurisë Kombëtare me dëbimet masive.

Komandanti i Komandës Jugore të Shteteve të Bashkuara, e cila mbikëqyr bazën detare amerikane në Gjirin e Guantanamos, informoi ligjvënësit të mërkurën për shifrën e përditësuar, por tha se nuk mund të jepte ende detaje se sa do të kushtojë pritja e një numri në rritje individësh.

Admirali Alvin Holsey tha se këto përpjekje përfshijnë ndalimin e individëve të përshkruar nga zyrtarët e Departamentit të Sigurisë Kombëtare si “të huaj kriminalë me rrezikshmëri të lartë” dhe në vazhdim mbajtjen e deri në 30,000 emigrantëve jo të dhunshëm të planifikuar për deportim.

“Po bëjmë një përqasje me faza”, u tha admirali Holsey anëtarëve të Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura, duke shtuar se baza tani ka kapacitetin për të mbajtur rreth 2,500 emigrantë jo të dhunshëm.

“Po punojmë me Departamentin e Sigurisë Kombëtare për të kuptuar fluksin e emigrantëve”, tha ai.

“Nuk do të shkojmë në 30,000 nëse nuk e dimë se ky do të jetë fluksi i emigrantëve që do të vijnë. Pra, ishim në pritje në këtë pikë”.

Komanda e Transportit e ushtrisë amerikane i tha Zërit të Amerikës të hënën se ka pasur të paktën pesë fluturime emigrantësh për në Gjirin e Guantanamos, me avionë transporti ushtarak C-17 ose C-130.

Shumica e fluturimeve, sipas disa zyrtarëve, kanë pasur 10-15 të ndaluar.

Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, e cila e vizitoi këtë burg të premten e kaluar dhe mbikëqyri transferimin me fluturimin e tretë të të paraburgosurve në qendrën e paraburgimit, i ka përshkruar vazhdimisht ata si “vrasës dhe anëtarë të bandave të egra” nga Venezuela dhe si “më të këqijtë nga më të këqijtë”.

/GazetaSinjali/

Read Previous

SHBA do të rrisë shitjen e produkteve ushtarake në Indi

Read Next

Osmani e Kurti sot në Mynih