Italia bllokon qasjen në “DeepSeek”

Autoriteti i Mbrojtjes së të Dhënave i Italisë (GPDP) bllokoi të enjten qasjen në aplikacionin e inteligjencës artificiale kineze (AI) DeepSeek për të mbrojtur të dhënat e përdoruesve.

Ky institucion ka urdhëruar gjithashtu “Hangzhou DeepSeek Artificial Intelligence” dhe “Beijing DeepSeek Artificial Intelligence”, kompanitë që qëndrojnë pas shërbimit “chatbot”, të ndalojnë menjëherë aksesin në të dhënat e përdoruesve italianë.

Vendimi vjen pas një vlerësimi të kompanive se cilat të dhëna personale mbledhin dhe cila është baza ligjore për mbledhjen.

“Urdhri i ndalimit, i marrë për të mbrojtur të dhënat e përdoruesve italianë, vjen pas komunikimit të marrë sot nga kompanitë, përmbajtja e të cilit u konstatua tërësisht e pamjaftueshme”, tha autoriteti.

Përveç kufizimit të përpunimit të të dhënave, GPDP-ja ka nisur një hetim zyrtar ndaj “startup”-it kinez të teknologjisë DeepSeek.

Kjo masë pasqyron hetimin e GPDP-së të marsit 2023 ndaj “ChatGPT”-së të kompanisë me bazë në SHBA, OpenAI, e cila gjithashtu u përball me kufizime të përkohshme për shqetësime të ngjashme të privatësisë.

DeepSeek lançoi modelin e tij me kosto të ulët dhe me burim të hapur “DeepSeek-R1” më 20 janar. Modeli, i zhvilluar duke përdorur më pak çipa, sfidon dominimin perëndimor në fushën e inteligjencës artificiale. /Anadolu Agency/

Read Previous

Liderët shtetërorë e politikë nderojnë figurën e heroit Zahir Pajaziti

Read Next

Trump këmbëngul në largimin e palestinezëve nga Gaza