Kryeministri, Albin Kurti theksoi se qëndrueshmëria kombëtare nuk është opsion që duhet zgjedhur, por domosdoshmëri shtetërore e kombëtare.
Ai potencoi se viteve të fundit kanë ndërmarrë hapa përmes të cilëve është forcuar ky aspekt i sigurisë.
Sipas tij me reformat në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë e blerjet ushtarake është rritur gatishmëria për mbrojtje të integritetit të vendit, por edhe aftësia për parandalim e rimëkëmbje nga çdo goditje.
“Viteve të fundit kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të forcuar qëndrueshmërinë tonë kombëtare, ku qëndrueshmëria jonë kombëtare është një ndër elementet kryesore të mbrojtjes gjithpërfshirëse, apo mbrojtjes totale për të cilën jemi përgatitur duke hartuar së pari draft konceptin dhe e kemi miratuar atë në qeveri në shtatorin e vitit të kaluar. Kjo mbrojtje nënkupton përgatitjen e gjithë shoqërisë për të përballur situata të krizave dhe emergjencave dhe natyrisht kërkon ndërgjegjësim dhe pjesëmarrje gjithnjë e më të lartë të qytetarëve dhe bashkëveprim të pandërprerë mes institucioneve dhe komuniteteve…Në këto kohë të sfidave përgjigja jonë duhet të jetë kombinimi i vendosmërisë dhe unitetit. Kjo konferencë është një hap drejt ndërtimit të një të ardhme ku gjithë qytetarët ndihen të mbrojtur dhe vendi ynë mbetet një shembull edhe i qëndrueshmërisë edhe i përgatitjes”, tha Kurti. /KosovaPress/