Ministria e Mbrojtjes e Izraelit njoftoi se më shumë se 15.000 ushtarë izraelitë janë plagosur në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023.
Në deklaratën e ministrisë thuhet se ushtarët e plagosur janë bërë pjesë e programeve të rehabilitimit në Departamentin e Rehabilitimit të ministrisë.
Shifra e shpallur nga ministria është dukshëm më e lartë se numri i raportuar nga ushtria, që qëndron në 5.667 ushtarë të plagosur që nga 7 tetori 2023.
Sipas shifrave ushtarake të publikuara nga ushtria, 841 ushtarë janë vrarë dhe 5.667 të tjerë janë plagosur që nga shpërthimi i luftës në Gaza më 7 tetor 2023.
Ministria e Mbrojtjes, megjithatë, nuk shpjegoi mospërputhjen e madhe midis dy shifrave.
Kujtojmë se një marrëveshje armëpushimi hyri në fuqi në Gaza më 19 janar, duke pezulluar luftën gjenocidale të Izraelit që ka vrarë më shumë se 47.300 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, dhe ka plagosur më shumë se 111.400 që nga 7 tetori 2023.
Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhërarreste në nëntor të vitit të kaluar për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë. /Anadolu Agency/