Rutte: NATO do të patrullojë Detin Baltik me më shumë anije, avionë dhe dronë

NATO Secretary-General Mark Rutte. | Maja Hitij/Getty Images

NATO njoftoi sot një mision të ri për të mbrojtur më mirë infrastrukturën e rëndësishme nënujore në Detin Baltik, si kabllot e energjisë dhe komunikimit, me një numër më të madh anijesh, avionësh dhe dronesh.

“Sot ju njoftoj se NATO po nis misionin “Baltic Sentry”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte në një konferencë për shtyp – në fund të samitit të anëtarëve të aleancës që rrethojnë Detin Baltik, në Helsinki.

“Ky aktivitet ushtarak është pjesë e përpjekjeve tona të vazhdueshme për të rritur praninë detare dhe monitorimin e zonave kyçe për aleancën tonë”, tha Rutte.

Sekretari i përgjithshëm njoftoi gjithashtu një iniciativë për përdorimin e teknologjive të reja si pjesë e përpjekjeve.

Kjo përfshin një flotë të vogël dronësh detarë për të siguruar mbikëqyrje dhe parandalim të përmirësuar.

Në takimin në kryeqytetin finlandez, vendet pjesëmarrëse të NATO-s Gjermania, Danimarka, Estonia, Finlanda, Letonia, Lituania, Polonia dhe Suedia dhanë përgjigjet e tyre lidhur me disa incidente – në të cilat dyshohet se infrastruktura në Detin Baltik është dëmtuar qëllimisht.

Në incidentin e fundit, anija-cisternë “Eagle S” dyshohet se ka dëmtuar qëllimisht një linjë elektrike dhe disa kabllo komunikimi – duke tërhequr spirancën e saj në shtratin e detit. Autoritetet finlandeze kanë sekuestruar anijen. /ATSH-DPA/

Read Previous

Aksion simbolik në Bujanoc, kundër diskriminimit të shqiptarëve

Read Next

Scholz: Marina gjermane do t’i bashkohet misionit të NATO-s në Detin Baltik