Bizneset me mijëra euro humbje nga reduktimet e rrymës

Kosova tash e sa ditë është futur në një krizë elektro-energjetike, e cila erdhi si pasojë e politikave të pakoordinuara, përfshirë edhe subvencionimin e paisjeve efiçiente, vlerësojnë njohës të fushës. Ndërkohë, humbjet më të mëdha në këtë kohë reduktimesh i pësuan bizneset të cilat vështirë po kryejnë veprimtarinë e tyre.

Tash e sa ditë qytetarë të zonave të ndryshme në Kosovë janë duke u përballur me reduktime të gjata të energjisë elektrike. Operatorët energjetik deklarojnë se nuk bëhet fjalë për mungesë të energjisë por për mbingarkesë të rrjetit dhe se gjendjen e njëjtë do të jetë edhe këtë javë.

Përveç në amvisëri kjo gjendje iu ka shkaktuar pasoja të mëdha shumë bizneseve. Burim Piraj, afarist, flet për dëme prej mijëra eurosh nga reduktimet e energjisë elektrike.

“Reduktimet na shkaktojnë shumë dëme sepse energjia e fituat me gjenerator është 10 fish më e shtrenjtë se ajo që fitohet. Saherë që ndërprehet energjia elektrike, ndërprehet edhe procesi i prodhimit. Derisa të inkuadrohet gjeneratori shkon një kohë në rikyçje. Kjo na ka ndodhë shumë shpesh kohëve të fundit kur kemi pasë shumë ndërprerje, kjo nuk është dicka e re. Ndodhë edhe kur kemi energji elektrike por është tensioni i ulët. Kemi pasë shumë reduktime të gjata, me orë të tërë kemi pasur ndërprerje edhe kur ka pasur rikthim të sistemit ka qenë furnizimi shumë i shkurtë. Brenda ditës ka ndodhë na është ndërpre 7-8 herë. Disa mijëra euro kemi dëme nga reduktimet e fundit”, tha Piraj për rtv21.

Në terr është edhe komuna e Vitisë. Kryetari i kësaj komune, Sokol Haliti, vë në pah vështirësitë nga mungesa e energjisë elektrike.

“Është kthyer terri pas 25 viteve. 2024/2025 ndërrimi i motomoteve është afruar dhe është kthyer terri. Është e papranueshme mërgata me ardhë dhe mos me pas energji elektrike. Është e papranueshme këto ditë të ftohta, ku kanë filluar të zbresin shumë, të kthehet terri. Prandaj, kemi problematika edhe në qytet, emergjencë, kemi problematika në funksionim elementar të shtetit”, tha Haliti.

Përkundër situatës, Ministrja e ekonomisë, Artane Rizvanolli deklaron se familjet e subvencionuara për pajisje efiçiente kanë ulur konsumin e energjisë për 19% krahasuar me vitin paraprak.

“Është një vazhdimësi i projekteve që kemi pasur. Deri më tani kemi realizuar Ministria e Ekonomisë dhe Fondi 125 projekte të efiçiences së energjisë ku kursimi i energjisë është arritur në 80 për përqind më disa raste…Për dallim prej raundeve të kaluara të ndërtesave këtë radhë kontratat e ndërtesave kontratat janë të nënshkruara nga Qeveria e Kosovës komplet dhe do të zbatohen përmes fondit qarkullues për komuna…Familjet përfituese të subvencionit të pajisjeve efiçente për ngrohje sipas të dhënave të marra nga KESCO kanë ulur mesatarisht konsumin e energjisë për 19 për qind me vitin pasues. Përderisa në të njëjtën periudhë familjet tjera të vendit, amvisëritë në total e kanë rritur mesatarisht 3.8 për qind konsumin. Masat e efiçiences kanë ulur konsumin e energjisë. Familjet e subvencionuara kanë kursyer në total 27 milionë kilovat në orë. Ky investim i cili po fillon sot është në vlerë 3.8 milionë euro i financuar nga Qeveria e Kosovës, dhe përmes kësaj marrëveshje po i shtojmë edhe projekte të reja në disa komuna”, tha Rizvanolli.

Mirëpo, se pse u fut vendi në këtë krizë energjetike dhe sa ndikoi përdorimi i paisjeve efiçiente të subvencionuara nga Qeveria, tregon njohësi i energjisë Adhurim Haxhimusa.

“Kjo çka po ndodhë është si rezultat i një numri të madh të politikave energjetike të pakoordinuara që e kanë sjellë këtë rezultat. Ne e kemi këtë si rezultat i mungesave të politikave të mirëfillta energjetike, si mungesë të intvestimeve të kapaciteteve të reja regjeneruese. Gjendja e tanishme është rezultat i politikave të ndryshme që janë marrë deri tani. Duke e përfshi edhe këtë katër vjecarin e kësaj qeverie të cilët kanë qenë politika të pakoordinuara me të gjithë pjesëmarrësit në sistemin elektro-energjetik dhe skanë qenë politika nxitëse me ngritë kapacitete të reja gjeneruese. Kjo pjesa e subvencionit, ju ka shtu këtij avazit të politikave të pamenduara dhe të pa analizume. Kjo është për keqardhje se ekspertët i kemi ofru qeverisë e ministrisë këshilla”, tha Haxhimusa.

Tash e disa ditë shumë pjesë të vendit po përballen me reduktime të gjata të rrymës gjë që e cila ka vështirësuar ditët e fundvitit për qytetarët e zonave të ndryshme./RTV21/21Media

Read Previous

Përfundon pa sukses edhe një udhëtim e Rooneyt si trajner

Read Next

Policia shqiptoi 1505 gjoba trafiku për 24 orë