Lahm kritikon Tuchel: I mungonte qartësia te Bayerni

Legjenda e Bayern Munich dhe i kombëtares gjermane, Philipp Lahm, ka dhënë një intervistë për “Kicker”, ku foli për gjendjen aktuale të ish-klubit të tij, tashmë nën drejtimin e Vincent Kompany:

“Situata është përmirësuar. Ajo që ka bërë Kompany është se ka sjellë qartësi. Kim dhe Upamecano janë mbrojtës qendrorë të afirmuar dhe luajnë rregullisht. Kjo iu jep atyre vetëbesimin që më parë mungonte”.

“Periudha e mëparshme, – shtoi Lahm, duke iu referuar kohës kur Bayerni drejtohej nga Thomas Tuchel, – karakterizohej nga mungesa e qartësisë. Fillimisht, Tuchel i besoi Upamecanos dhe Kim-it, por shumë shpejt ndryshoi dhe mbështeti Matthijs de Ligt e Eric Dier. Pa qartësi, asnjë mbrojtje dhe asnjë ekip nuk mund të jetë i sigurt. Kjo ishte ajo që i mungonte Bayernit përpara se të vinte Kompany”.

Lahm vlerësoi gjithashtu strukturën e skuadrës aktuale bavareze: “Përpara kemi boshtin qendror me Joshua Kimmich, Jamal Musiala dhe Harry Kane. Dhe katër sulmues krahu të talentuar”.

Megjithatë, ai paralajmëroi se skuadra nuk është ende e plotësisht stabile: “Bayernit i mungon ende një stabilitet i qëndrueshëm, siç shihet herë pas here. Ka ende shumë për të bërë”.

Në lidhje me mundësinë që Bayerni të luajë finalen e Champions League në shtëpi, këtë sezon, Lahm u shpreh optimist: “Mendoj se po. Shumë skuadra të mëdha, si Manchester City dhe PSG, janë duke kaluar vështirësi, po luftojnë për ta ruajtur nivelin. Për ta, prioriteti është të jenë mes 24 më të mirëve. Ndërkohë, Bayerni gjithmonë ka potencial për të mbërritur në finale”. /Telesport.al/

Read Previous

Biden përmend arritjet e tij më domethënëse gjatë katër viteve në Shtëpinë e Bardhë

Read Next

Real Madridi vendos t’i japë dy yjeve paga të barabarta me Mbappen