Hashim Thaçi pritet të deklarohet të martën lidhur me aktakuzën e re

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pritet që të deklarohet të martën rreth aktakuzës së re që është ngritur ndaj tij lidhur me “pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të luftës Thaçi dhe të tjerët”.

Siç është njoftuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), brenda dy javësh do të nisin seancat për këtë aktakuzë.

Në seancën e 8 dhjetorit, Thaçi kishte thënë se nuk pa pasur mundësi ta lexoj aktakuzën nga Gjykata Speciale për “pengim të drejtësisë”, teksa ka hedhur dyshime se aktakuza e re ndaj tij është ngritur për arsyeje politike.

“Krejt papritmas para dy tri ditësh u njoftova për akuzën e re nga ZPS-ja. E di që Kosova është në prag të zgjedhjeve elektorale, por nuk jam pjesë e garës elektorale. Unë nuk paraqes rrezik politik për askënd. Unë besoj dhe respektoj ligjet e Kosovës dhe kërkoj nga të gjithë që të respektohet kushtetuta e Kosovës”, tha Thaçi gjatë seancës në Speciale.

“Tash e katër vite përballem me një proces tjetër gjyqësor dhe kemi dëgjuar vlerësime keqinterpretuese për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Shoqëria kosovare dhe unë presim drejtësi, për çka edhe besojmë në drejtësi”, deklaroi ish-presidenti kosovar.

Thaçi akuzohet për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, përmes pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi.

Sipas akuzës, Thaçi “në periudhën 12 prill të 2023 deri më 2 nëntor të 2024-së gjatë vizitave në paraburgim, u ka dhënë informacione konfidencial për dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit së Specializuar Isni Kilajt, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit”.

“Në aktakuzë më tej pretendohet se z. Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me z. Smakaj, me z. Fazliu dhe me z. Kilaj, dhe persona të tjerë kundër të cilëve nuk janë ngritur akuza, si dhe me z. Kuçi, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së në kontekstin e gjykimit aktual për krime lufte Thaçi dhe të tjerët”.

Pos Thaçit, aktakuzë është ngritur gjithashtu ndaj Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në aktakuzë, të dyshuarit akuzohen për vepra penale që lidhen me pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të pretenduara të luftës Thaçi dhe të tjerët. /Albanianpost.com

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Read Previous

Shqipëria gati të hapë grupkapitullin e gjashtë të negociatave me Bashkimin Evropian

Read Next

Rriten me thuajse 20% eksportet bujqësore në Shqipëri