Rafuna: Rritja ekonomike në Kosovë duhet të jetë dyshifrore

Rritja ekonomike në Kosovës, sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafunës, duhet të jetë dyshifrorë në atë mënyrë që t’i vihet ballë sfidave socio-ekonomike me të cilat po përballet vendi.

Në vlerësimin e tij rritja njëshifrore në Kosovë është e pamjaftueshme për të lënë gjurmë në zhvillim e prosperitet.

Pikërisht për këtë çështje, Rafuna, ka njoftuar se është kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ketë më shumë investime publike.

“Në Kosovë për të lënë gjurmë rritja ekonomik duhet të jetë dyshifrore e jo njëshifrore dhe kjo ka qenë arsyeja pse ne prej fillim vitit kur është aprovuar Ligji i Buxhetit kemi kërkuar nga institucionet e vendit që të ketë më shumë investime publike, të ketë një reformë të ambientit për të pasur më shumë investime private dhe për të parë se si mundemi më shumë me tërheq diasporën tonë në kuptimin e projekteve e të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillim ekonomik të vendit e jo vetëm t’i lejojmë diasporën tonë në kuptim që ata të blejnë banesa ose shtëpi”, ka thënë ai në një intervistë për Ekonomia Online.

Në Kosovë, sipas Bankës Botërore, rritja ekonomike është 3.8 për qind, kryesisht e nxitur nga konsumi dhe investimet e diasporës në ndërtime.

Sfidat kryesore për Kosovën, sipas raportit, mbesin reformat në sektorin e energjisë, furnizimit me ujë dhe përmirësimin e kapitalit njerëzor, si dhe lidhjet me tregjet e jashtme.

Në mesin e rreziqeve, Banka Botërore thekson trysninë për rritjen e shpenzimeve buxhetore në prag të zgjedhjeve, por edhe pasigurinë e vazhdueshme gjeopolitike, përfshirë në kontekstin e veçantë politik të Kosovës. /Albanianpost.com

Read Previous

Kufijtë me Shqipërinë, kalimet e përshpejtuara rikthehen më 1 nëntor

Read Next

Izraeli godet objektet ushtarake të Iranit në sulme hakmarrëse