FIFA do të hapë dialog për rregullat e transferimeve

FIFA do të nisë negociatat me palët e interesuara të sportit për sistemin e transferimeve pasi Bashkimi Evropian vendosi se disa nga aspektet e tij ishin të paligjshme, tha të hënën organi drejtues i futbollit.

“Në ditët në vijim, FIFA do të ftojë zyrtarisht palët e interesuara të komentojnë dhe të propozojnë ide në lidhje me nenin 17 të RSTP (‘Pasojat e përfundimit të një kontrate pa arsye të drejtë’) me synimin për të konsoliduar propozimet dhe për të identifikuar rrugën më të mirë përpara”, thuhet në një deklaratë të FIFA-s.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”.

Rregulloret e FIFA-s mbi Statusin dhe Transferimin e Lojtarëve (RSTP) thonë se një lojtar që përfundon kontratën përpara afatit të saj “pa arsye të drejtë” është i detyruar të paguajë kompensim për klubin dhe kur lojtari i bashkohet një klubi të ri ata do të jenë bashkërisht përgjegjës për pagesën e kompensimit.

Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian (GJED), duke vendosur mbi një çështje të profilit të lartë lidhur me ish-lojtarin e Francës, Lassana Diarra, deklaroi më 4 tetor se këto dispozita ishin të paligjshme dhe vendimi pritet të shtyjë FIFA-n të rinovojë rregulloret e saj të transferimeve.

“Rregullat në fjalë janë të tilla që pengojnë lëvizjen e lirë të futbollistëve profesionistë që dëshirojnë të zhvillojnë aktivitetin e tyre duke shkuar të punojnë për një klub të ri”, sqaroi GJED-ja me qendër në Luksemburg.

FIFA ka pranuar se rregullat do të ndryshohen.

“FIFA pret të zhvillojë më tej kuadrin e saj rregullator, padyshim duke marrë parasysh pikëpamjet dhe kontributin nga të gjitha palët përkatëse dhe të prekura”, shtoi Shefi Ligjor dhe Përputhshmërinë e FIFA-s, Emilio Garcia Silvero.

Ndërsa ekipi ligjor i Diarra-s u shpreh se i gjithë sistemi i transferimeve do të ndryshonte pas vendimit të BE-së, FIFA argumentoi se vetëm një pjesë e rregulloreve do të prekeshin.

“Sistemi ndërkombëtar i transferimeve përbëhet nga shumë elementë: për shembull, rregullat në lidhje me periudhat e regjistrimit; transferimi dhe regjistrimi i lojtarëve; aplikimi i sanksioneve sportive në raste të caktuara; kompensimet e trajnimit dhe mekanizmat e solidaritetit për të shpërblyer klubet stërvitore; transferimi ndërkombëtar i të miturve; sistemi i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve për të mbrojtur lojtarët dhe klubet në rast të shkeljes së kontratës kudo në botë, mbrojtjen e lojtarëve femra, trajnerëve, ekipeve kombëtare dhe shumë më tepër”, ravijëzoi Silvero. /Albanianpost.com

Read Previous

Fenomeni i vetëlëndimeve nga TikTok-u prek edhe Kamenicën

Read Next

Kurti pas takimit me Scholz tha se po i pret “me padurim” diskutimet dhe rezultet nga samiti i sotëm i Procesit të Berlinit