Zhbllokimi i CEFTA-s, Qeveria thërret konferencë për media

Emisari gjerman për Ballkanin, Manuel Sarrazin, ka njoftuar se trupat e Marrëveshjes së Tregtisë të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) kanë miratuar 11 vendime, në një mbledhje të mbajtur sot (e mërkurë). Ndërkaq me fillim prej orës 16:00 Qeveria e Kosovës pritet të mbajë konferencë për media lidhur me këtë ngjarje.

Paraprakisht, lëvizje përpara në Ballkanin Perëndimor ka lajmëruar ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock. 

“Ballkani Perëndimor po afrohet më afër së bashku. Në Procesin e Berlinit ne ishim në gjendje të punonim së bashku për ta zgjidhur nyjën në marrëveshjen e tregtisë së lirë CEFTA. Duke bërë këtë, ne hapim rrugën për përmirësime konkrete për banorët vendas. Dhe forcojmë Evropën tonë të përbashkët”, ka shkruar ajo në Twitter.

Postimin e saj e ka shpërndarë Sarrazini që e ka quajtur lajm të mirë njoftimin e Baerbockut. Ai ka thënë se Gjermania pret samit të suksesshëm të Procesit të Berlinit javën e ardhshme.

Lajmërimet vijnë pak pasi Qeveria e Kosovës ndryshoi masën e sigurisë ndaj mallrave nga Serbia nga “ndalim” në “kontroll i shtuar”.

Për në orën 16:00, Qeveria e Kosovës pritet të mbajë konferencë, ku pritet të shpalosen edhe më të rejat e fundit nga takimi i CEFTA-s, që po mbahet  në Beograd, e ku Kosova po përfaqësohet nga ministrja e Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari. Paraprakisht zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka thënë se pret që UNMIK-u të largohet përfundimisht nga përfaqësimi i Kosovës në CEFTA. Bislimi ka thënë se e sheh si një hap pozitiv që një vendim i tillë mund të merret pikërisht në Beograd. Ndërkaq Kryeministri Albin Kurti e ka komentuar në një konferencë për medie pas mbledhjes së Qeverisë heqjen e ndalesës për mallrat serbe, duke përsëritur se Kosova nuk ka masa tregtare, por masa të sigurisë me Serbinë.

Gjermania ka insistuar më së shumti për heqjen e masës. Përfaqësues të këtij shteti kërcënuan se, nëse ajo nuk do të hiqej, Kosova nuk do të ftohet në samitin e Procesit të Berlinit, që mbahet të hënën e ardhshme. /KOHA.net/

Read Previous

Telefonoi policinë më shumë se 1000 herë, arrestohet një person

Read Next

Erdogan në Tiranë, zbardhet agjenda e presidentit turk