Ndryshimi në VAR vonohet nga Liga Premier, megjithëse 20 klube kanë dhënë miratimin

Liga Premier do të vonojë një ndryshim të madh në VAR. Sipas raporteve, teknologjia gjysmë e automatizuar për pozicionin jashtë loje mund të mos lansohet në elitën e futbollit anglez deri në vitin 2025.

Futja e kësaj teknologjie u miratua nga klubet e Ligës Premier në prill dhe ishte parashikuar që të inkuadrohej rreth pushimit ndërkombëtar të tetorit ose nëntorit. Fillimisht, tetori ishte menduar si data më e mundshme, por tani kjo nuk duket e realizueshme, me mundësinë që teknologjia të mos jetë gati as nga mesi i nëntorit.

Sipas agjencisë PA News, gjatë një takimi në Londër, drejtuesit e Ligës Premier kërkuan të menaxhojnë pritshmëritë e klubeve lidhur me datën e nisjes, pasi testimi i sistemit është ende në zhvillim e sipër.

Aktualisht, liga beson se teknologjia mund të përshpejtojë kontrollin mesatar të VAR për pozitat jashtë loje me rreth 31 sekonda. Këtë verë, Guardian raportoi se PGMOL kishte zgjedhur të provonte një sistem të zhvilluar nga Genius Sports, duke lënë mënjanë produktet e ofruara nga Hawk-Eye.

Zyrtarët shpresojnë se kjo teknologji do të zvogëlojë kohën e nevojshme për të konfirmuar pozicionin jashtë loje në rast të një ndërhyrjeje VAR me mbi 30 sekonda.

Gjatë takimit të së enjtes, klubet morën një azhurnim kryesisht pozitiv në lidhje me gjyqtarët, ndërsa u kujtuan për detyrimet e tyre për sjelljen e lojtarëve. Ky paralajmërim erdhi disa ditë pas tensioneve të shkaktuara në përplasjen mes Arsenalit dhe Manchester Cityt.

Për më tepër, është pretenduar se nuk ka pasur asnjë kundërshtim nga klubet lidhur me shpenzimin e ligës prej më shumë se 50 milionë euro për shpenzime ligjore. U pranua se këto shpenzime janë të nevojshme për të mbështetur standardet e ligës dhe janë thjesht një pjesë e 10 miliardë eurove që Liga Premier pritet të fitojë nga të ardhurat televizive gjatë tri viteve të ardhshme. /Telegrafi/

Read Previous

Shtyhet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

Read Next

Zvicra dhe Italia rishikojnë kufirin për shkak të shkrirjes së akullnajave