Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me homologun e tij kroat, Andrej Plenkoviq në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kurti e Plenkoviq kanë biseduar për sigurinë në Ballkan, sulmin terrorist në Banjskë dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.
Kjo është bërë e ditur nëpërmjet një njoftimi të Zyrës së Kryeministrit.
“Mes marrëveshjeve dhe mundësive për thellim të bashkëpunimit, u veçua fusha e sigurisë si dhe ajo e arsimit për më shumë shkëmbime e trajnime të përbashkëta. Në këtë takim u bisedua dhe mbi paqen e sigurinë në Ballkan, ku Kryeministri tha se Serbia mbetet faktor destabilizues e kërcënues i rajonit. Ai theksoi sulmin paramilitar të Banjskës nga i cili u shënua dhe një vjetori i këtij akti terrorist tre ditë më parë, si dhe propagandën e vazhdueshme dezinformuese të aparatit shtetëror serb mbi Kosovën e veçanërisht veriun e vendit tonë.”, ka njoftuar ZKM.
Po ashtu bëhet e ditur se është diskutuar edhe mbi dialogun me Serbinë që zhvillohet në Bruksel.
“Kryeministri ritheksoi përkushtimin e Kosovës ndaj procesit të normalizimit dhe nevojën për respektimin e pakusht, si dhe zbatimin e plotë e pa vonesa të mëtejme të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues, teksa Serbia ende nuk po e nënshkruan dhe nuk është e gatshme për ecjen tutje drejt normalizimit të marrëdhënieve”, thuhet ndër të tjera në njoftim.