Parku Kulturor “Ali Podrimja” ka njoftuar mbylljen e aktiviteteve të tij pas tetë edicioneve të suksesshme. Ky park, i themeluar si një iniciativë qytetare vullnetare në vitin 2016, ka kontribuar në mënyrë të jashtëzakonshme në jetën kulturore të Gjakovës dhe më gjerë.
Ekipi i Parkut Kulturor “Ali Podrimja” është i krenuar për arritjet e tij dhe i mirënjohur për mbështetjen e sponsorizuesve, partnerëve, artistëve, vullnetarëve dhe audiencës. Ata theksojnë se emri dhe identiteti i parkut do të mbrohen dhe nuk do të shfrytëzohen për projekte të tjera në të ardhmen.
Komunikata e plotë:
Të dashur miq të parkut,
Pas tetë edicioneve shumë të suksesshme, gjatë të cilave Parku Kulturor “Ali Podrimja” u bë një oazë
arti, kulture dhe një ndër historitë më të lavdishme të qytetit, ju njoftojmë se parku ka ndërprerë
aktivitetet dhe nuk do të ketë edicione tjera në vazhdim!
Në këtë rrugëtim madhështor, Parku Kulturor “Ali Podrimja” është cilësuar dhe vlerësuar si një nga
projektet më të mira jo vetëm në Gjakovë, por edhe në mbarë Kosovën. Puna jonë ka treguar se si
përkushtimi dhe dashuria për komunitetin dhe kulturën mund të krijojnë një impakt të
qëndrueshëm dhe të veçantë.
Parku u nis si një iniciativë qytetare vullnetare në vitin 2016 dhe gjatë këtyre tetë viteve, kemi sjellë
mbi 500 ngjarje kulturore dhe artistike.
Fillimisht duke kthyer kinemanë në qytet pas rreth 26 viteve mungese, njëkohësisht themelimin e
kinemasë së parë të hapur dhe pastaj duke krijuar hapësirë për artistë dhe për aktivitete të
ndryshme për të gjitha moshat.
Megjithatë, përballë mungesës së vazhdueshme të mbështetjes financiare dhe logjistike, mos
respektimit të punës dhe angazhimit, është bërë e pamundur të vazhdojmë. Përkundër përpjekjeve
tona për të minimizuar problemet, vit pas viti ato janë rritur dhe kanë bërë të pamundur vazhdimin
e punës ashtu sic është merituar – si një ndër projektet më të dëshmuara dhe me jetën më të gjatë
në qytet. Me gjithë problemet e përvitshme, u angazhuam pafund derisa shterrëm tashmë të gjitha
energjitë!
Ky vendim nuk është marrë lehtë, sepse kemi dashuri dhe pasion për parkun, por duke pas parasysh
kushtet dhe sfidat e vazhdueshme, është momenti i duhur për të mbyllur këtë kapitull. Jemi krenarë
për të gjitha arritjet tona dhe jemi mirënjohës për të gjithë ata që na kanë mbështetur dhe kanë
qenë pjesë e këtij rrugëtimi të jashtëzakonshëm që nga dita e parë.
Hapësira nuk ka qenë e projektit dhe si e tillë është paguar qira për të, prandaj urojmë që dikush n
vazhdim mund të vazhdoj të jap përsëri produkt në të. Mirëpo emrin të cilit i dhamë identitet parkut
si: Parku Kulturor “Ali Podrimja” do e mbrojmë që të mos shfrytëzohet nga tjera projekte në
vazhdim!
Ka qenë kënaqësi për 8 vite me mbajtë gjallë qytetin me kulturë dhe art, duke dhuruar momente dhe netë që do te qëndrojnë gjatë në memoriet tona, momente këto që kanë qenë shtysë e madhe
drejt një programi atraktiv që kemi shfaqur në çdo edicion!
Secili që në çfarëdo forme ka kontribuar dhe ka qenë pjesë integrale e parkut në këto vite: Sponzor,
partner, artistë, vullnetarë dhe ju audiencë – FALEMINDERIT!
Shihemi në projektet tjera!
Me dashni,
Ekipi i Parku Kulturor “Ali Podrimja”