Spanjolli Pablo Hernández de Cos dhe holandezi Klaas Knot janë dy kandidatët për të pasuar presidenten aktuale të Bankës Qendrore Evropiane Christine Lagarde, e cila do të largohet para kohe nga detyra më 7 shkurt, njoftoi sot presidenti i Eurogrupit, Kyriakos Pierrakakis.
Më 29 tetor, presidentja e BQE-së, Christine Lagarde, e njoftoi presidentin e Këshillit Evropian se do të largohej para kohe nga detyra, më 7 shkurt 2027. Ajo shpjegoi se rregullat e neutralitetit, të lidhura me pozicionin e saj, e pengojnë atë të marrë pjesë në diskutime që kanë të bëjnë me çështje kyçe financiare dhe ekonomike.
Dy kandidatët e rinj për postin e kreut të Bankës Qendrore Evropiane kanë shërbyer më parë si guvernatorë të bankave të tyre qendrore kombëtare. Ministrat e Financave të Eurozonës do t’i shqyrtojnë këto dy kandidatura në takimin e tyre të radhës, pas tri ditësh.
Kujtojmë, anëtarët e Bordit Ekzekutiv të BQE-së, përfshirë presidentin, emërohen nga krerët e shteteve ose qeverive të vendeve anëtare të Eurozonës, me propozim të ministrave të tyre përkatës të Financave, raporton KosovaPress.
Vendimi merret me një shumicë të cilësuar të përforcuar të shteteve anëtare të Eurozonës. Një shumicë e tillë kërkon mbështetjen e të paktën 72 për qind të shteteve anëtare të Eurozonës ose të paktën 16 nga 21 vendet, të cilat së bashku përfaqësojnë të paktën 65 për qind të popullsisë së Eurozonës. /KosovaPress/