Ministrat e jashtëm të BE flasin për zgjedhjet në SHBA

Disa ministre dhe ministra të jashtëm të BE-së e prisnin tërheqjen e Joe Biden nga gara elektorale, të tjerë shpresonin për këtë. Kështu mund të shmangen ndoshta sërish disi shanset për një mandat të dytë presidencial në SHBA për republikanin Donald Trump, hamendësojnë diplomatë të BE-së në Bruksel.

Në Bruksel zhvilluan mbledhjen e radhës 27 ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE-së. Vetëm ministrja e Jashtme belge Hadja Lahbib u shpreh qartë, se kë sheh ajo tani në garë.

“Tërheqja e Bidenit nuk do të thotë fitore për Trump. Unë i uroj gjithë të mirat Kamala Harris, e cila tani ndoshta do të marrë drejtimin tek demokratët. Ajo është një grua e fortë”, mendon ministrja belge, e cila në qershor humbi zgjedhjet dhe së shpejti do të largohet nga posti.

Ministrat e tjerë të BE-së mbajtën një qëndrim ngjashëm si qeveria gjermane, që u shpreh disi vakët. Fillimisht duhet të emërohet si kandidate e demokratëve për presidente nënpresidentja aktuale Kamala Harris. Pastaj fjalën do ta kenë zgjedhëset dhe zgjedhësit amerikanë, u shpreh një zëdhënëse qeveritare në Berlin.

I ngarkuari i BE-së për Politikën e Jashtme, Josep Borrell, tha se nuk është detyrë e BE-së që tani t’u thotë amerikanëve se çfarë duhet të bëjnë. Vetëm kaq. Por natyrisht, që “për ne ka efekt të madh”, se kush zbarkon në Shtëpinë e Bardhë. Borrell dhe shumica e ministrave të jashtëm preferojnë më shumë një demokrat në Shtëpinë e Bardhë se sa Donald Trumpin shpërthyes dhe miqësor ndaj Rusisë.

Por gjithsesi politikanët drejtues në mbarë Europën i shprehën konsideratat 81- vjeçarit Joe Biden për angazhimin e tij, drejtimin dhe “vendimin dinjitoz”, për t’u tërhequr. Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez në një mesazh në X shkruan. “Një gjest i madh nga një president i madh, i cili gjithmonë ka luftuar për demokracinë dhe lirinë”.

“Falë tij është i ngushtë bashkëpunimi transatlantik, NATO është e fortë dhe SHBA një partnere e besueshme për ne”, vlerësoi kancelari gjerman Olaf Scholz “mikun” e tij Joe Biden. Shumë deklarime të ngjashme me fjalë simpatie tingëllojnë më shumë si një nekrologji./kallxo.com/

Read Previous

AKP-ja anuloi qiratë e pompave në veri “për shkak të shkeljeve”

Read Next

SHBA me kërkesë për Moskën të lirojë gazetaren ruso-amerikane të burgosur Kurmasheva