Konjufca: Populli të mos frikësohet, të besoj në shtet

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka potencuar se Serbia ka pretendime territoriale ndaj Kosovës, ndonëse ka apeluar te qytetarët që të mos frikësohen e të besojnë në shtet.

“Prej këtyre pretendimeve ajo nuk ka hequr dorë kurrë”, ka thënë ai në një prononcim për media.

Po në të njëjtën kohë, sipas tij, edhe Kosova kurrë nuk ka qenë më e përgatitur për t’u përgjigjur sfidave të sigurisë.

Konjufca ndër të tjera, ka njoftuar se deklarata e tij e dhënë ditë më parë për trajnime të grupeve terroriste në Serbi dhe rreziku që ata mund të destabilizojnë Kosovën, nuk ka pasur për qëllim frikësimin e popullit, por për të njoftuar bashkësinë ndërkombëtare në mënyrë që të ndëshkohet Serbia.

“Kështu që populli i Kosovës duhet të ndihet i sigurt, askush nuk i thotë këto deklarata për me i friku apo për me shkaktua ndonjë panik. Populli i Kosovës është shumë i qetë, populli i Kosovës beson në shtet, populli i Kosovës dhe shoqëria jonë besojnë në institucionet tona efektive për me ju kundërvu çfarë do tendence të Serbisë për me destabilizu Kosovën, kështu ka qenë dhe kështu do të jetë gjithmonë”, ka thënë Konjufca.

Së fundi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për prestigjiozen amerikane, CNN, ka potencuar se “Serbia është shumë agresivë ndaj Kosovës”.

“Fillimisht duke mos e njohur si shtet të pavarur, krahas kësaj është e angazhuar në luftë hibride dhe bën stërvitje ushtarake në kufi”, i tha ai gazetares britaniko-iraniane, Christiane Amanpour.

Duke nënvizuar faktin se Serbia ka 48 baza operative përgjatë kufirit me Kosovën, Kurti potencoi se Beogradi është “në pritje të një dritareje të re të mundësive”.

“Ajo çfarë kërkojmë nga partnerët perëndimorë është që t’i bëjnë presion Beogradit që t’i tërheqin këto baza, që secila që ka 50-150 ushtarë, oficerë me pajisje, municion dhe armatim ushtarak ruse, por edhe atë kinez”, ka shtuar ai.

Nga aspekti politik, sipas Kurtit, Serbia është e ngjashme Rusinë.

“Ata nuk njohin de facto dhe de juro fqinjët e tyre, i shkaktojnë problmeve fqinjëve, sepse duan të zgjerohen”, potencoi ai.

Kurti ndër të tjera gjatë intervistës tha se Rusia dhe Serbia, historikisht, e kanë imituar njëra-tjetrën./Albanianpost.com

Read Previous

Katër top klube evropiane të gatshme ta paguajnë klauzolën e Dani Olmos

Read Next

​Reshjet e dendura të shiut shkaktojnë përmbytje në Gjermani