Nëse keni qenë përdorues i Facebook në vitin 2019, është e mundur që informacioni juaj të jetë në mesin e miliona regjistrimeve të postuara në një faqe në internet të përdorur nga hakerat.
Firma e inteligjencës kibernetike Hudson Rock gjatë fundjavës zbuloi se informacioni personal i 533 milionë llogarive në Facebook ishte zbuluar, duke përfshirë emra, numra telefoni, ID të Facebook, vendndodhjet, datat e krijimit të llogarive, ditëlindjet, statuset e marrëdhënieve, biografinë dhe, në disa raste, adresat e emailit.
Facebook (FB) u shpreh se të dhënat janë nga një shkeljet e raportuara më parë në vitin 2019. “Ne e gjetëm dhe e rregulluam këtë çështje në gusht 2019,” tha për CNN zëdhënësi i Facebook Andy Stone. Sidoqoftë, për shumë përdorues, informacioni që kanë patur në profilin e tyre në Facebook në vitin 2019, të tilla si numrat e telefonit dhe ditëlindjet, ka të ngjarë të mos ketë ndryshuar në dy vitet e fundit. Dhe kjo do të thotë që të dhënat mund të jenë akoma të dobishme për hakerat.
Lajmi për aksesin në informacionet personale nuk është përfundimisht i mirë, por gjithashtu nuk është domosdoshmërisht një arsye për panik. E vërteta është se shkeljet e të dhënave, për fat të keq, janë bërë mjaft të zakonshme për një gamë të gjerë të shërbimeve në internet.
Për shkak se vjedhja e informacioneve përfshin emra dhe numra telefoni, kjo mund të çojë në një rritje të thirrjeve telefonike ose mesazheve me tekst (të cilat tashmë janë një problem i madh).
Të dhënat mund të përdoren gjithashtu për kryerjen e sulmeve të inxhinierisë sociale, të tilla si “phishing”. Në mënyrë tipike, një sulm i inxhinierisë sociale përfshin dikë që imiton një person apo organizatë legjitime, duke përfshirë bankë, kompani ose koleg, për të vjedhur të dhëna të tilla si kredencialet e hyrjes, numrat e kartave të kreditit, numrat e sigurimeve shoqërore dhe informacione të tjera të rëndësishme.
Megjithëse ky skandal i Facebook nuk do të çojë domosdoshmërisht në rritje të mashtrimeve, fakti që kaq shumë lloje të ndryshme informacioni të përdoruesve janë në dispozicion për shumë hakera, mund t’i bëjë ata të duken më të besueshëm dhe kështu më të suksesshëm.
Këshillohet që të ndryshoni të dhënat dhe të siguroni llogarinë tuaj./Anabelmagazine