Shumë persona janë zhdukur në Zvicër, në kantonin Ticino, pas një rrëshqitjeje toke, të shkaktuar nga shirat e rrëmbyeshëm që kanë goditur një pjesë të madhe të vendit alpin që nga e shtuna, tha sot policia.
”Stuhitë e mëdha shkaktuan një rrëshqitje toke në rajonin e Fontanas, në veriperëndim të kantonit, dhe shumë njerëz u raportuan të zhdukur”, shkruan policia e kantonit italishtfolës në një njoftim për shtyp, pa dhënë detaje të mëtejshme.
”Operacionet e shpëtimit janë veçanërisht të vështira për shkak të kushteve të këqija atmosferike”, raporton ky burim.
Një thirrje për evakuimin e shtëpive pranë lumit Maggia u bë sot herët në mëngjes për banorët e Prato-Sornico dhe luginës Maggia, ku po kërkohen të zhdukurit.
Sipas policisë kantonale, rrugët janë të pakalueshme dhe kampingjet e vendosura përgjatë lumit janë evakuar.
Përveç kësaj, një urë u shemb nga ujërat që bllokuan rrugën kantonale.
Disa lugina pranë luginës Maggia nuk janë më të aksesueshme dhe energjia elektrike është ndërprerë.
”Një pjesë e kantonit gjithashtu nuk ka ujë të pijshëm”, sipas sistemit federal të alarmit Swissalert./ a.jor.