“Raporti nuk është dorëzuar ende dhe asnjëherë nuk kemi shpallur një datë se kur do të bëhet saktësisht kjo”.
Kështu ka thënë zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, kur është pyetur për raportin e përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme të BE-së, Josep Borrell për masat ndëshkuese ndaj Kosovës të vendosura vitin e kaluar për shkak të veprimeve të Qeverisë në Veri, i cili pritet t’i dorëzohet vendeve anëtare të Unionit.
“Raporti është ende në finalizim dhe së shpejti do t’u paraqitet Shteteve anëtare në Këshill”, tha Stano në një përgjigje për agjencinë e lajmeve Kosovapress.
Ndërkaq tri ditë më parë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se ka informacione se është rekomanduar heqja e masave ndëshkuese për Kosovën nga BE-ja.
“Informacionet që kam është se përmbajtja e raportit është pozitive dhe rekomandon heqjen e masave”, theksoi Bislimi.
Në fillim të këtij muaji, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një deklaratë për gazetarë theksoi se “nuk varet prej qeverisë” largimi i masave ndëshkuese të BE-së.
Ai kishte potencuar se tashmë janë ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për de-përshkallëzimin e situatës në pjesën veriore të territorit kosovar të banuar me shumicë serbe.
Masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale.
Ndryshe, përveç masave, Kosovës i është anuluar pjesëmarrja edhe në stërvitjen ushtarake ‘Defender Europe 2023’ pas situatës së tensionuar në Veri, ku kryetarët e komunave hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë nën asistimin e Policisë së Kosovës./Albanianpost.com