Ukraina ka arritur të gjejë mbështetje të aleatëve që të sulmojë Rusinë brenda territorit të saj. Kjo ka mbetur të aprovohet vetëm nga aleatja më e fuqishme – SHBA-ja, ndaj së cilës është shtruar presion ta lejojë një gjë të tillë.
Se është koha që Ukraina ta përdorë armatimin e dhënë nga aleatët e saj të jashtëm në territorin rus, janë shprehur një numër i konsiderueshëm i aleatëve perëndimorë ukrainas. Kësisoj, aleatët kanë rritur presionin ndaj presidentit amerikan Joe Biden për ta lejuar Ukrainën të provojë një strategji të tillë në territorin e brendshëm rus. Lideri rus Putin ka paralajmëruar pasoja të rënda, veçanërisht për ato që ai i quajti “vende të vogla” në Evropë dhe mënyrën se si po tentojnë të luajnë, sipas tij.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, theksoi se qëndrimi i Uashingtonit për këtë çështje do të përshtatet bazuar në ndryshimin e kushteve të fushëbetejës. Pro kësaj ideje është shprehur edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili nuk hezitoi ta mbështesë idenë se Ukraina duhet të “lejohet” t’i përdorë armët e furnizuara nga Perëndimi në territorin rus, në asnjë mënyrë në objektivat civile.
Kancelari gjerman Olaf Scholz ka qenë i kujdesshëm në publik, por një zëdhënës në Berlin tha se veprimi mbrojtës nuk kufizohet në territorin e dikujt, por përfshin edhe territorin e agresorit.
Edhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka nënvizuar faktin se Ukraina ka të drejtë të mbrohet, dhe kjo përfshin edhe objektivat goditëse në territorin rus.
Se Ukraina ka të drejtën të vendosë se si t’i përdorë armët britanike u shpreh edhe Sekretari I Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, Cameron, ndërsa këtë javë zëvendësministri polak i Mbrojtjes tha se ukrainasit mund të përdorin armë polake ashtu siç e shohin të arsyeshme.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë më parë se ishte e padrejtë që vendet perëndimore të vendosin kufizime në përdorimin e armëve të tyre, mirëpo ai kishte pranuar se Ukraina nuk rrezikon mbështetjen e partnerëve./rtklive