Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se Prishtina e ka pranuar propozimin që e ka bërë i Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në lidhje me dinarin serb, pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), për ndalimin e kësaj valute për pagesa në territorin kosovar, derisa ka shtuar se Serbia s’ka qenë e gatshme për kompromis.
Këto komente, Bislimi i ka bërë në një prononcim për media nga Brukseli, pas takimit që ka pasur me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviç, me ndërmjetësimin e Lajçak-ut.
“Duke parë pamundësinë e arritjes së një kompromisi, Lajçak ka nxjerr një propozim të konsoliduar, për të cilin ne besojmë se është propozim konstruktiv dhe në rrugën e duhur për të gjetur zgjidhje e cila më së shumti i shkon përshtati qytetarëve serbë në Kosovë, por në të njëjtën kohë respekton Rregulloren e BQK-së”, tregoi Bislimi.
Kryenegociatori i Kosovës theksoi se ky takim është caktuar me idenë që palët të reflektojnë, “gjegjësisht pala serbe ka kërkuar më shumë kohë për arsye se nuk kanë pasur kompetenca në vendimmarrje”.
“Javën e kaluar i është bërë e qartë palës serbe se takimi i radhës mund të mbahet vetëm nëse vijnë me ide për kompromis. Fatkeqësisht, edhe sot kemi pas dallime të mëdha”, shtoi.
Ai nënvizoi se përderisa pala kosovare ka diskutuar për opsionet me të cilat qytetarët serbë mund të marrin mbështetje financiare edhe më tej nga Serbia, “pala serbe ka vepruar si avokate e Bankës së Postës serbe dhe gjithë kohës kanë diskutuar se si të rregullohet licencimi i kësaj banke, e cila nuk është as kompetencë e as interes e palëve të përfshira”./Albanianpost.com