BQK-ja konfirmon pjesëmarrjen në takimin e thirrur nga BE-ja për dinarin

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) konfirmoi të hënën se do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Bashkimi Evropian (BE) që do të mbahet të martën e 27 shkurtit në Bruksel të Belgjikës për të diskutuar mbi ndalimin e përdorimit të dinarit serb në territorin kosovar.

Duke shprehur gatishmërinë që të angazhohet dhe takohet edhe me Bankën Popullore të Serbisë (NBS) për të gjetur një zgjidhje për çështjen e dinarit, zëdhënësi i BQK-së, Besnik Kada, njoftoi se zyrtarë të institucioni themelor bankar në Kosovë do të marrin pjesë në takimin e 27 shkurtit.

“BQK-ja kohë më parë ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet dhe takohet edhe me Bankën Popullore të Serbisë (NBS) për të fasilituar në përzgjedhjen e opsionit me të lehtë për procesin e transferimit të mjeteve përmes kanaleve bankare në llogaritë e përfituesve (në Euro)”, tha ai.

“Në këtë kuptim, edhe i përgjigjet ftesave kur janë të nevojshme, për takime të tilla informuese, siç edhe ka bërë në vazhdimësi edhe me prezencën ndërkombëtare në vend”, shtoi ndër të tjera Kada, pa specifikuar se kush nga zyrtarët e BQK-së do t’i përgjigjet ftesës së BE0së për takim.

BE-ja ftoi Kosovën dhe Serbinë për të negociuar mbi dinarin në një takim që supozohet të zhvillohet të martën në një-vjetorin e Marrëveshjes së Brukselit. Ftesa u bë pas takimeve që Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell, zhvilloi me kryeministrin kosovar, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, javën e kaluar në Mynih të Gjermanisë.

Megjithatë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherë shef i ekipit negociator të palës kosovare, deklaroi të mërkurën se refuzoi ftesën e BE-së për të negoicuar për çështjen e ndalimit të dinarit serb në Kosovë dhe për më tepër, akuzoi diplomatin sllovak për shkelje të parimeve, posaçërisht sa i përket caktimit të një takimi pa pajtim me Qeverinë e Kosovës.

“Por, ky nuk është takim ku duhet të shkojë kryenegociatori për arsye se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut. Unë shkoj atëherë kur bisedohet për Marrëveshjen Bazike. Kështu që do të shohim se kush do të shkojë që të bisedojë për dinarin, por nuk është nga ekipi i kryenegociatorit”, u shpreh zëvendëskryeministri Bislimi në një konferencë për media në Prishtinë.

Ndërkaq, dy ditë para takimit të paraparë në kryeqendren evropiane që pritet t’i kushtohet ekskluzivisht rregullores së BQK-së mbi operacionet me para ta gatshme në vend, ku përfshihet edhe ndalimi i përdorimit të dinarit serb për transaksione në Kosovë, mediat serbe raportuan se kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, do shkojë në Bruksel.

“Delegacioni nga Beogradi, nën udhëheqjen e drejtorit të Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, do të marrë pjesë në raundin e ri të dialogut në Bruksel”, njoftoi të dielën agjencia serbe e lajmeve “Tanjug” duke u thirrur në burime brenda delegacionit të palës serbe në dialog.

Më 1 shkurt, hyri në fuqi rregullorja e re e BQK-sё, nëpërmjet së cilës synohet të ndalohet qarkullimi i dinarit serb nё territorin kosovar, duke specifikuar se valuta e vetme ligjore që lejohet për transaksione është euro. Në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe dinari nën sistemin paralel të financuar nga Serbia. /Albanianpost.com

Read Previous

EULEX: Jemi ende duke patrulluar para dhe rreth ndërtesave komunale në veri

Read Next

Katër rekorde unike futbolli që nuk mund të thyhen kurrë