Le Figaro: Shqipëria, një nga destinacionet e fundit sekrete në Evropë

Prestigjiozja franceze “Le Figaro” e ka përshkruar Shqipërinë si një ndër destinacionet e fundit sekrete në Evropë.

Shqipëria renditet mes 15 vendeve që “Le Figaro” ka  renditur mes destinacioneve më të bukura për t’u vizituar gjatë vitit 2024.

Artikullin në fjalë e ka shpërndarë edhe kryeministri Edi Rama duke shtuar se “është fantastike nisja e vitit 2024 për Shqipërinë që vazhdon të jetë në listën e vendeve evropiane më atraktive për t’u vizituar”.

“Pas CNN, tani prestigjozja franceze ‘Le Figaro’ përshkruan Shqipërinë si një ndër destinacionet e fundit sekrete në Evropë mes plazheve të bruzta me rërë të bardhë, qyteteve të lashta historike dhe Vjosës, Parkut të parë Kombëtar të një lumi të egër”, ka shkruar Rama.

Gjithashtu ka vijuar duke thënë se 127 mijë turistë francezë zbuluan vendin tonë gjatë vitit 2023, duke konsoliduar hartën e tregjeve nga Evropa Perëndimore.

Shkruhet se Shqipëria është një nga destinacionet e fundit sekrete në Evropë, e cila pasi ka qenë prej 46 vitesh një nga vendet më të mbyllura në botë për shkak të diktaturës, prej disa vitesh ka hapur dyert për turistët.

Me një gjatësi prej 465 kilometra vijë bregdetare, laget nga uji bruz i Adriatikut dhe Jonit, të ofron plazhe magjepsëse me rërë të bardhë.

Prestigjiozja franceze i bën jehonë edhe lumit Vojsa.

Po ashtu sugjerohet eksplorimi në brendësinë e vendit: madhështorja Lugina e Valbonës (jo larg nga Mali i Zi), liqeni i Ohrit i klasifikuar nga Unesco si pjesë e trashëgimisë kulturore.

“Le Figaro” rendit si vende për t’u vizituar edhe qytetin e Berati, “qyteti me një mijë dritare”, dhe qytetin e Gjirokastrës që kënaq adhuruesit e trashëgimisë kulturore dhe historike.

Pa harruar edhe Tiranën.

Shqipëria shkruhet se i ofron turistëve çmime shumë të mira e tërheqëse në raport me cilësinë.

Dhe se koha më e mirë për të udhëtuar është nga Maji deri në Qershor, pikat e nxehta janë në Korrik dhe Gusht.

Pak ditë më parë, “CNN” e ka renditur Shqipërinë në 10 vendet kryesore që duhen vizituar mes 24 destinacioneve për vitin 2024 – si një model i zhvillimit të qëndrueshëm.

Shqipëria, në artikullin e “CNN”, është vlerësuar bukuritë e bregdetit, qendrat historike në Berat e Gjirokastër, ato të kulturës dhe për Parkun Kombëtar të Vjosës.

“E vendosur në bregdetin e Adriatikut midis Greqisë dhe Malit të Zi, është për t’u habitur që Shqipëria nuk ishte kaq popullore si destinacion plazhi më parë. Por çmimet e saj miqësore me portofolin kanë parë një lulëzim të turizmit gjatë viteve të fundit”, thuhet ndër të tjera në artikull.

“CNN” thekson se në vitin 2023, një numër rekord italianësh u dyndën në të gjithë Adriatikun për pushimet e tyre të volitshme verore.

“Në vitin 2024 pritet të hapet një aeroport i ri në Vlorë, në bregdet, që do të lehtësojë udhëtimet në plazh. Por, Shqipëria ofron shumë më tepër sesa bregdetin e saj. Vendi ka një kulturë të pasur, duke përfshirë historinë e krishterë dhe myslimane, me qendra historike në qytete si Berati dhe Gjirokastër, si dhe peizazhe malore mahnitëse, Thethi është më i popullarizuari”, vijon artikulli.

Po ashtu thuhet se “në vitin 2023, Vjosa e Shqipërisë prej 168 miljesh (270 kilometrash) u shpall zyrtarisht parku i parë kombëtar i lumit të egër në Evropë. Shqipëria mori parkun e parë kombëtar të lumit të egër në Evropë, rreth lumit Vjosa prej 168 miljesh (270 kilometrash)”.

/albanianpost/

Read Previous

Von Cramon për njohjen e targave RKS: Hap drejt realitetit të njohjes de facto të Kosovës nga Serbia

Read Next

Majlinda Kelmendi udhëheq kampin me mbi një mijë xhudistë në Itali