Cooper: Kosova mund t’i jap një dimension shtesë Evropës

Mesazhet për popullin dhe liderët e Kosovës nga top-diplomati britanik, Robert Cooper, në prag të përmbylljes së një viti që ka qenë vërtetë vit i rrethanave të jashtëzakonshme dhe rrjedhimisht, një vit i zhvillimeve sfiduese, janë inkurajuese për të ardhmen.

Optimizmin e tij ai e mbështet tek vullneti i madh i kosovarëve për jetësimin e lirisë.

Cooper mendon se askush nga jashtë nuk i njeh më mirë se popullsia lokale, dëshirat dhe energjitë, si dhe mënyrën e jetesës. Të huajt, sipas tij, nuk mund të ofrojnë vetëm një gjë, të ndërtojnë shtete.

Ai thotë për Albanian Post se komunitetet e ndryshme në Kosovë e kanë një shans historik për të punuar bashkë, në solidarësi qytetare, duke i trajtuar me mirëbesim nevojat e njëri-tjetrit, drejt ndërtimit të një shteti që e ka vendin në mesin e shteteve anëtare të Bashkimin Evropian (BE).

Përkundër se nuk parapëlqen të flasë për rrjedhën e tensionuar në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, ish-ndërmjetësi britanik në dialog është i vetëdijshëm se në zanatin e diplomacisë nuk ekziston asgjë spektakolare, mahnitëse apo frymëzuese, por zgjidhja është e thjeshtë.

“Problemet si kjo janë të lehta – përgjigjet janë të gjitha të qarta: trajtojini njerëzit si të rritur; jepini atyre lirinë maksimale, por edhe përgjegjësinë maksimale; dëgjoni ata dhe ndihmoni komunitetet e ndryshme”, deklaron ai, derisa shton se nëse kjo arrihet, suksesi do jetë i garantuar.

E nëse kjo funksionon, fuqia e shtetit, legjitimitetit dhe efektshmëria, mund të ecin krah për krah, secila prej tyre duke përforcuar tjetrën, në një cikël pothuajse të përsosur, sidomos në aspektin e bashkëjetesës dhe besimit të gjetur në mesin e të gjitha komuniteteve etnike në Kosovë.

“Kosova ka potencial të madh. Të kthesh ëndrrat në realitet nuk është kurrë e lehtë. Përgjegjësia e parë e klasës politike është të jetë e ndershme, të jetë e besueshme dhe të bindë njerëzit që t’i besojnë njëri-tjetrit. Gjithçka duhet të jetë lokale: të huajt nuk mund të ndërtojnë shtete”, thotë Cooper.

“Secili do të jetojë më mirë nëse mund t’i besojë njëri-tjetrit dhe ta trajtojë njëri-tjetrin si bashkëqytetarë. Por arritja në atë pikë është gjithashtu shumë e vështirë, veçanërisht kur institucionet janë të reja. Duhet besim, guxim dhe imagjinatë për të ndërtuar një vend të ri”, shton ndër të tjera ai.

Megjithatë, përveç gatishmërisë së popullit të Kosovës për të ndërmarrë rreziqe, nënvizon diplomati britanik, udhëheqja politike duhet të kontribuojë në ndërtimin e besimit. Ai thekson se vetëm kështu mund të arrihet suksesi i njëmend. Kosova mund t’i jap kontinentit evropian një dimension shtesë.

“Suksesi ka nevojë për energji lokale dhe udhëheqje lokale: është e vetmja gjë që të huajt nuk mund ta ofrojnë! Njerëzit në Kosovë më japin gjithmonë përshtypjen se janë ndërmarrës të talentuar, të gatshëm për të punuar shumë dhe për të rrezikuar, si dhe me talente artistike; vetëm pak më shumë rregull dhe të dy shtetet do t’i shtonin një dimension shtesë Evropës”. /Albanianpost.com

Read Previous

Pamje nga stërvitja e ushtarakëve italianë në liqenin e Ujmanit

Read Next

Eurodeputeti holandez: Pas shumë vitesh vonesa të panevojshme kosovarët mund të udhëtojnë pa viza