GAP: Rritja e pagave nuk solli përmirësim në punën e kuvendeve komunale
Policia e Kosovës sërish është duke zhvilluar një aksion në Leposaviq – komunë e banuar me shumicë serbe – që ka lidhje me kontrabandë të mallrave.
Lajmin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, derisa ka bërë të ditur se policia dhe dogana po kontrollojnë një magazinë në të cilën dyshohet se ka mallra të kontrabanduara.
“Po bëhet një kontroll për shkak të informacioneve se ai [pronari i depos] posedon edhe mallra të cilat janë kontrabandë, prejardhja e të cilave nuk dihet ose janë bartur ilegalisht nga Serbia”, tha ai për AP.
Edhe të hënë, Policia e Kosovës ka njoftuar se pas informacioneve për fshehjen e “pajisjeve të rrezikshme” që mund të rrezikojnë jetët e qytetarëve, sekuestroi municion, bomba tymosëse, tela gjembore dhe një uniformë.
“Sot në orët e hershme kemi pranuar informacione të rëndësishme nga qytetarët lidhur me fshehjen e disa gjërave (pajisjeve të rrezikshme) të dyshuara që mund të rrezikojnë jetën e qytetarëve apo paraqesin rrezik potencial për përdorimin e tyre edhe ndaj personalit policor, por edhe pengimin në realizimin e detyrave ligjore”, thuhet në njoftim.
Në njoftim theksohet se uniforma e sekuestruar të hënën është identike me uniformat e përdorura nga grupi terrorist për sulmin e armatosur në fshatin Banjë të Zveçanit më 24 shtator, ndërsa bëhet e ditur se operacionet e Policisë së Kosovës janë duke vazhduar me qëllim të parandalimit të ndonjë sulmi tjetër mbi organet e rendit.
Po ashtu, policia edhe të dielën njoftoi se në pikë-kalimin kufitar Kosovë-Serbi në Merdarë është ndaluar një autobus me targa të huaja, kurse në një valixhe janë hasur disa pajisje të dyshuara ushtarake: tri thika luftarake, dy radiolidhje, një çantë ushtarake, një jelek taktik, një palë doreza, një helmetë taktike, tri bateria, dy këllëf për revole dhe një imitim i predhës. /Albanianpost.com