Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se pret që së shpejti Policia dhe Prokuroria të dalin me raport mbi të gjeturat për sulmin terrorist të 24 shtatorit dhe kidnapimit të tre policëve.
Kjo gjë, Sveçla ka thënë se pret të ndodhë ditëve në vijim.
“Për çështjen e sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator, tashmë jeni njoftuar që Policia e Kosovës me Prokurorinë janë duke bërë hetimet më të mëdha në historinë e Republikës së Kosovës. Patjetër unë shpresoj që shumë shpejtë do ta dalin me rezultatet preliminare, kjo është edhe një ndër kërkesat që i kam adresuar edhe Policisë dhe Prokurorisë përmes Policisë, që sa më shpejtë të kemi një raport preliminar mbi të gjeturat nga ky rast, por edhe nga rasti i kidnapimit të policëve. Do të thotë përgjegjësit kryesorë për hetim dhe për të ndërmarrë hapat e duhur se a do të dalin me raport për hetimet e tyre unë besoj që duhet t’i pyesni ata. Unë pres që ditëve në vijim që Prokuroria dhe Policia të dalin me raport mbi të gjeturat për këto dy raste jashtëzakonisht të rënda për Kosovën”, tha ai.
Kujtojmë se më 24 shtator, si pasojë e një konfrontimi me armë me një grup terrorist serb në Banjskë të Zveçanit, ka humbur jetën rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe ka mbetur i plagosur zyrtari policor, Alban Rashiti.
Të vrarë kanë mbetur edhe tre nga terroristët serb që morën pjesë në agresionin e dhunshëm, teksa disa të tjerë u arrestuan, por shumica prej mbi 80 sosh ikën nga vendi i ngjarjes.
Kosova ka fajësuar Serbinë se organizoi sulmin terrorist, gjë që u mohua nga Beogradi zyrtar, të cilët thanë se kjo ishte revoltë e serbëve lokalë.
Përgjegjësinë për sulmin e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, i sanksionuari nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, Milan Radoiçiq, i cili mohoi se ka marrë ndonjë ndihmë nga Beogradi.
Pas sulmit në Banjskë, Serbia grumbulloi trupa ushtarake në kufi me Kosovën – gjë që u dënua nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat e cilësuan si “veprim shumë destabilizues”.
/GazetaSinjali/