Murati: Buxheti për komunat është 745 milionë – e pavërtetë që ka favorizime

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se për vitin 2024, buxheti i ndarë për komunat është 745 milionë euro.

Murati tha se kjo ndarje përcaktohet në bazë të formulës, kryesisht për kokë banori, por edhe për numër të nxënësve dhe numër të personave mbi 65-vjeç, kur është puna për grantin e shëndetësisë.

“Pra, janë 745 milionë euro, nga të cilat 640 milionë euro janë grant qeveritar dhe vetëm 105 milionë janë të hyra vetanake të komunave. Dhe këto 640 milionë euro u ndahen komunave në bazë të numrit të banorëve. Për më tepër, Prishtina ka marrë edhe 17 milionë euro shtesë për shkak se është kryeqytet, ndërkaq është edhe Obiliqi i cili i merr edhe 5 milionë euro shtesë në kuadër të ligjit që sheh kompensimin për ndotjen e ambientit që i bëhet për shkak të ndodhjes së KEK-ut aty”.

“Pra, ka edhe këso grante shtesë që ndahen me formulë dhe nuk ka se si qeveria të vendosë ndryshe. Është e pavërtetë që ka dallim apo favorizim të komunave”, tha Murati.

Murati foli edhe për prezantimin e raportit të Institutit GAP mbi ndarjet buxhetore, ku tha se qeveria ka ndarë më shumë mjete për komunat e udhëhequra nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Ajo çka është prezantuar në atë raport, që po tentohet të pasqyrohet edhe nga opozita si diçka që është diskriminuese ndaj komunave të caktuara, bëhet fjalë për rreth 13 milionë euro nga 860 milionë euro investime kapitale. Pra, investimet kapitale janë 860 milionë euro, kurse raporti në atë tabelë është vetëm 1.5 për qind e buxhetit, ndërsa 98.5 për qind e buxhetit nuk e trajton ai raport”.

“Për më tepër, çka nuk trajton ai raport është edhe fakti që ndarjet e reja dhe të vjetra i merr vetëm sipas kodit. Shembull, mund të jetë një projekt, ta zëmë stadiumi “Adem Jashari” mund të ketë qenë për vite të tëra me ndarje buxhetore 100 mijë euro dhe s’është zbatuar, ka mbetur djerrinë. Pra, për vite të tëra ka pasur nënbuxhetim, por ai llogaritet si projekt i vjetër”.

“Por nëse tash MKRS-ja ia alokon, me siguri 4-5 milionë euro, 4.9 milionë euro janë mjete të reja. Por, ai raporti që është prezantuar nga shoqëria civile, e sidomos është përdorur nga opozita, thotë që investimet e reja aty janë zero, pavarësisht se janë shtuar 4.9 milionë euro. E këtu kemi edhe shumë projekte të reja që kanë të bëjnë me projekte që jo domosdo ekzekutohen përmes buxhetit”, tha Murati.

Më tej, Murati tha se gjithë zhurma po bëhet për 13 milionë euro “ndërsa pardje ne i nënshkruam 80 milionë euro për komunën e Prishtinës”.

/klankosova/

Read Previous

​Votohet projektligji për sport, synohen reforma të thella në këtë fushë

Read Next

Maqedonci: Duke investuar në ushtri po investojmë në sigurinë e qyetarëve