Grubi: Në janar po vjen kryeministri shqiptar në Maqedoni

Ndërsa po prezantohej si përfaqësuesi më i lartë shqiptar në ekzekutivin e Maqedonisë së Veriut, para fjalimit të tij në Akademinë Solemne me rastin e 115 vjetorit të Kongresit të Manastirit, zëvendëskryeministri shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Artan Grubi, ka thënë se nga janari do të ketë përfaqësues edhe më të lartë, pra kryeministër shqiptar në Maqedoni të Veriut – për herë të parë në histori.

“Përfaqësuesi më i lartë edhe disa ditë, sepse do të bëjmë një përfaqësues edhe më të lartë, me kryeministrin e parë shqiptar të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, që në muajin janar”, ka thënë Grubi.

Sa i përket kryeministrit shqiptar, kjo ka qenë pjesë e marrëveshjes qeverisëse në mes të LSDM-së dhe Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) – të cilët kishin garuar në zgjedhjet e kaluara me idenë e kryeministrit shqiptar – më 2020.

Sipas marrëveshjes, 100 ditët e fundit të qeverisjes parashihet që kryeministri të jetë shqiptar – për herë të parë në histori të Maqedonisë së Veriut.

Se do t’i përmbahet marrëveshjes për kryeministrin shqiptar e ka konfirmuar edhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, njëherit kreu i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, ku tha se marrëveshja e 2020 me BDI-në – partinë më të madhe shqiptare në Maqedoni të Veriut – është e qartë.

“Ne me BDI-në kemi marrëveshje të qartë të koalicionit që është publikuar në opinion në vitin 2020, gjithsesi se flitet me ta për modalitetet, megjithatë mendoj se qëllimi për realizimin e koalicionit evropian që do të udhëheqë një front të gjerë në lidhje me promovimin e kësaj ideje, është ideja kyçe që do të bind partitë në zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë Kovaçevski, transmeton “TV21”. /Albanianpost.com

Read Previous

Stoltenberg: Çdo sulm e dhunë ndaj qytetarëve në Kosovë është i papranueshëm

Read Next

Shtyhet sërish regjistrimi i popullsisë, vendoset për datën 5 prill