Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur në takim nga guvernatorja e Iowa-s, Kim Reynolds.
Përmes një komunikate për media, Zyra e Presidencës njofton se gjatë takimit, presidentja Osmani theksoi se Kosova nuk ka aleate e mike më të mirë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilën sipas saj ndajnë vlerat e njëjta të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe bashkëpunimit ndërkombëtarë.
E para e shtetit e ka njoftuar guvernatoren Reynolds për zhvillimet e fundit në Kosovë pas aktit të agresionit që Serbia kreu në Kosovë më 24 shtator.
Sipas Osmani, Kosova do të vazhdojë bashkëpunimin me aleatë, ndërkohë që autorët e sulmit terrorist dhe aktit të agresionit ndaj Republikës së Kosovës të kryer më 24 shtator duhet të vihen para përgjegjësisë.
“Sipas Presidentes Osmani, nënshkrimi kohë më parë i Programit të Partneritetit Shtetëror të Iowa-s, përbën një element thelbësor të marrëdhënieve strategjike me Shtetet e Bashkuara. Ky program luan një rol jetik në zhvillimin tonë të vazhdueshëm ushtarak dhe përpjekjet për ngritjen e kapaciteteve, në përputhje me objektivat dhe aspiratat tona të sigurisë kombëtare për anëtarësim në NATO”, thuhet në komunikatë.
Më tej, Osmani shtroi nevojën e ndihmës substanciale ekonomike dhe programet e zhvillimit të iniciuara nga Shtetet e Bashkuara për ta mbështetur rritjen dhe stabilitetin ekonomik të Kosovës.
Në takim me guvernatoren Reynolds u diskutua për shkëmbime të mëtejshme studentore, bursa dhe bashkëpunime akademike ndërmjet universiteteve të Kosovës dhe Iowa-s, duke përfshirë shkëmbimin në fakultete, projekteve të përbashkëta kërkimore dhe iniciativave për ngritjen e kapaciteteve në arsim.
/GazetaSinjali/