Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pritet që të mbërrijë në Tiranë të dielën e 15 tetorit.
Një ditë më pas ajo do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit, që mbahet për herë të parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Të dielën pasdite, presidentja von der Leyen do të takohet me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe kryeministrin, Edi Rama, për të diskutuar mbi procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Von der Leyen dhe kryeministri Rama do të mbajnë një konferencë për shtyp pas takimit të tyre.
Të hënën, ajo do t’i bashkohet Komisionerit për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi, për të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit.
Samiti do të mbledhë së bashku krerët e shteteve ose qeverive nga Ballkani Perëndimor.
Takimi do të jetë një mundësi për të diskutuar me liderët rajonalë mbi Planin e ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, aktualisht në përgatitje nga Komisioni, i cili synon të sjellë disa nga përfitimet e anëtarësimit në BE për njerëzit e Ballkanit Perëndimor.
Kjo përmes integrimit në tregun e vetëm, bashkëpunimin ekonomik rajonal dhe përshpejtimin e reformave themelore dhe rritjen e mbështetjes financiare.
Plani do të plotësojë mbështetjen e dhënë tashmë në kuadër të Planit Ekonomik dhe Investimeve të BE-së prej 30 miliardë eurosh të nisur në vitin 2020, i cili deri më tani ka mobilizuar 16 miliardë euro në investime për projekte kryesore.
Gjatë Samitit, liderët e Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë përparimin në tregun e përbashkët rajonal të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë zbatimin e marrëveshjeve rajonale të lëvizshmërisë të nënshkruara vitin e kaluar në Berlin.
Samiti do të njohë gjithashtu reduktimin vullnetar të fundit të tarifave të roaming midis rajonit dhe BE-së, për të cilin mbështetja e Komisionit dhe Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal ishte thelbësore.
Së fundi, partnerët e Ballkanit Perëndimor do të miratojnë një sërë deklaratash të përbashkëta në lidhje me bashkëpunimin në fusha të tilla si klima dhe ndotja, tranzicioni digjital, lehtësimi i tregtisë dhe transportit, ambicia për t’u bashkuar me Zonën e vetme të pagesave në euro dhe synimin për të krijuar një vëzhgues konvergjence.
Gjithashtu të hënën von der Leyen do të marrë pjesë në inaugurimin e zyrës ndërlidhëse të Kolegjit të Evropës në Tiranë. /Albanianpost.com