Bushati: Sulmi terrorist i 24 shtatorit, këmbanë e fortë alarmi – në Shqipëri të ketë unitet politik për Kosovën

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka kërkuar unitet politik për situatën në Kosovë, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.

Ai ka shprehur kritika se si në Shqipëri ende politika nuk gjen gjuhë të përbashkët për ta miratuar një rezolutë për dënimin e këtij sulmi.

Bushati, ka thënë se bota demokratike, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, me të drejtë ka dënuar sulmi terrorist të Hamasit të shtunën kundër Izraelit.

Por, tha se në spektrin politik të Shqipërisë nuk po arrihet një unitet edhe për ta dënuar sulmin ndaj Kosovës më 24 shtator.

“Bota u zgjua dje me imazhe të tmerrshme të sulmeve terroriste të Hamasit kundër Izraelit, të cilat me të drejtë u dënuan me ashpërsi nga e gjithë bota demokratike.

Edhe në Shqipëri, të gjithë krahët e politikës për pak minuta u bashkuan në mesazhet e tyre për dënimin e sulmeve terroriste të Hamasit kundër Izraelit. Mesazhet ishin thuajse të njëjta, në pajtim të plotë me praktikat e qëndrimeve të mbajtura nga Shqipëria për të tilla ngjarje.  Ndërkohë që kanë kaluar dy javë prej sulmit terrorist të 24 shtatorit në Kosovë, të njëjtët krahë të politikës nuk gjejnë ende gjuhën e përbashkët për miratimin e një rezolutë në Kuvendin e Shqipërisë, për dënimin e sulmit terrorist ndaj Kosovës dhe denoncimin me emër të inspiruesve dhe autorëve të sulmit, të cilët, i morën jetën në krye të detyrës policit Afrim Bunjaku”, ka shkruar Bushati në një postim në Facebook.

Bushati ka thënë se “s’mund të lejohet që mungesa e vendosmërisë nga ana e Shqipërisë të trimërojë apo nxisë shtete ose grupime që kërkojnë zhbërjen e Kosovës”.

Ai tha se sjellja e Serbisë ndaj Kosovës më nuk është çështje politike, por është çështje serioze e sigurisë për rajoni dhe për të ardhmen evropiane.

“Në rrethanat e tanishme politike dhe të sigurisë në Evropë sulmi terrorist i 24 shtatorit ndaj Kosovës është një këmbanë e fortë alarmi. Sjellja e Serbisë ndaj Kosovës nuk është më një çështje politike, por një çështje serioze e sigurisë për rajonin dhe të ardhmen e Evropës. Zgjedhja nuk është më mes dështimit dhe suksesit të dialogut, por ndërmjet stabilitetit dhe një përshkallëzimi të mëtejshëm të dhunës. Kjo e fundit ka të ngjarë të ndodhë nëse tolerohet roli i Serbisë, si prishëse e stabilitetit rajonal”, ka shkruar Bushati.

Bushati ka thënë se politika në Shqipëri duhet të ngrihet në lartësinë e kërkesave të shoqërisë shqiptare dhe të miratojë njëzëri një rezolutë në Kuvendin e Shqipërisë.

Ai ka thënë se rezoluta e dalë nga Kuvendi i Shqipërisë duhet të mbështesë punën e gjitha institucioneve të Kosovës në funksionin e zbatimit të ligjit, rendit dhe mbrojtjes së integritetit territorial të Kosovës.

“Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë duhet të dënojë sulmet dhe provokimet e inspiruara nga Serbia kundër Kosovës, dhe të kërkojë bashkëpunimin e Serbisë me Kosovën, duke nisur nga dorëzimi i autorëve të sulmit dhe pranimi i një hetimi ndërkombëtar. Në të njëjtën kohë, Shqipëria duhet t’i lehtësojë Kosovës paraqitjen e provave dhe fakteve në forumet dhe organizatat ndërkombëtare, ku Kosova nuk ka qasje, në lidhje me veprimtarinë e ekzekutorëve dhe urdhërdhënësve të sulmit terrorist”, shprehet ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë.

/telegrafi/

Read Previous

Papa Françesku bën thirrje për t’i dhënë fund sulmeve në Izrael dhe Palestinë

Read Next

Izraeli shpall gjendje lufte