Serwer: Perëndimi t’i vendosë sanksione Vuçiçit – Serbia t’i dorëzojë terroristët tek autoritetet e Kosovës

Daniel Serwer, specialist i fushës për menaxhimin e konfliktit dhe një nga vëzhguesit më të njohur të zhvillimeve socio-politike në Ballkanin Perëndimor, në një op-ed të publikuar të martën, pas tensioneve të fundit në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, propozoi një “qasje të re” për kapërcimin e situatës.

Ai vlerësoi se reagimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimit Evropian (BE) për sulmin terrorist në veri të Kosovës nuk ka qenë i duhuri, derisa shtoi se qëndrimi i Brukselit dhe Uashingtonit ku u bëhej thirrje të dy palëve që të ndalin dhunën, veç e barazon performancën e Policisë së Kosovës me një kryengritje të armatosur ilegale.

Prandaj, ai propozoi që SHBA-të së bashku me BE-në t’i vendosin sanksione presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, por edhe zyrtarëve të tjerë serbë. Ai ndër të tjera shtoi se NATO-ja duhet t’i përgatisë trupat e tij në kuadër të Misionit Paqeruajtës në Kosovë (KFOR) kundër pushtimit të forcave serbe në veriun e vendit.

Serweri parashtroi edhe propozime të tjera. Ai konsideroi se përpjekjet për zbutjen e Serbisë kanë mbaruar dhe sëkëndejmi, nëse zyrtarët serbë dëshirojnë të anëtarësohen në BE, atëherë Serbia duhet t’i arrestojë e më pas t’i dorëzojë terroristët tek autoritetet kosovare dhe të heqë dorë nga insistimi për qeverisje të ndarë të serbëve të Kosovës.

“Serbia duhet të: arrestojë dhe dorëzojë terroristët tek autoritetet e Kosovës. Të heqë dorë nga insistimi për seperatizmin e serbëve në Kosovë. Të rreshtohet me sanksionet për Ukrainën ndaj Rusisë. T’i jap përkrahje anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara”, shkroi tutje Serwer.

E nëse zyrtarët në Beograd i refuzojnë këtë propozime, sipas profesorit amerikan, atëherë duhet të pasojnë sanksionet, përfshirë ngrirjet e negociatave të anëtarësimit me BE-në dhe suspendimin e bashkëpunimit ushtarak me SHBA-të.

“Uashingtoni dhe Brukseli duhet gjithashtu të përgatiten për të nxitur Prishtinën që të kontaktojë serbët e veriut për të gjetur alternativa ndaj Listës Serbe. Prishtina duhet të përpiqet të sigurojë që të mos ketë incidente anti-serbe në të gjithë Kosovën, në mënyrë që të zhvlerësojë pretendimet e Vuçiçit për spastrim etnik. Prishtina duhet të hetojë menjëherë çdo incident që ndodh”.

Gjithçka filloi në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit, kur një grup i armatosur rëndë në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe në veri të territorit – qëlloi me armë zjarri mbi trupat e Policisë së Kosovës, ku u vra një rreshter i Policisë së Kosovës dhe u lënduan dy të tjerë.

Në një video të publikuar të martën nga Policia e Kosovës, shihet nënkryetari i Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – Milan Radojiçiç, duke udhëhequr terroristët që sulmuan Policinë e Kosovës, më 24 shtator, ku për pasojë u shua jeta e rreshterit Afrim Bunjaku, tashmë hero i Kosovës.

Grupi që ngriti në nivele të larta shkallën e egërsisë në veri, sipas autoriteteve kosovare, nuk ka qenë në përbërje të civilëve të rëndomtë që ngrenë krye herë pas here në këtë zonë, por ka ngërthyer brenda vetes së paku 30 pjesëtarë të trajnuar, ushtarakë e paramilitarë, të cilët janë sponsorizuar nga shteti serb.

Pjesëtarët e këtij grupi, pas vrasjes së policit kosovar në krye të detyrës dhe plagosjes së dy policëve të tjerë, gjetën strehë në Manastirin e Banjskës, ku u barrikaduan për orë të tëra dhe shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës së dielë, duke tentuar të provokonin kryengritje më të gjërë. Në mesin e tyre edhe Radojiçiç.

Radojiçiçi i cili ka mbështetjen e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, kërkohet nga autoritetet e Kosovës dhe është gjithashtu në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Britanisë së Madhe për përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar.

Banda që cenoi sigurinë dhe paqen në veriun e trazuar të vendit, u neutralizua nga Policia e Kosovës dhe operacioni policor gëzoi mbësheje të gjërë ndërkombëtare. Tre pjesëtarë të bandës terroriste u vranë, dy të tjerë u plagosën dhe tetë janë arrestuar deri më tash, ndërsa të tjerët u arratisën në Serbi.

/albanianpost/

Read Previous

Albion Rrahmani, lojtari i javës në Superligën e Rumanisë

Read Next

Muzeu Britanik kërkon ndihmë për të gjetur objektet e vjedhura