Ndërkohë që gjithë vëmendja kombëtare dhe evropiane e ka fokusin në trafikun e lëndëve narkotike mes Shqipërisë dhe Italisë, një trafik i ri raportohet po lulëzon në heshtje, ajo e breshkave të tokës, një specie në zhdukje e cila mbrohet nga Konventa e Uashingtonit (Cites).
Sipas Top Channel, ditët e fundit lajmet se kapeshin në portet e Italisë, qytetarë shqiptarë që me makinat e tyre trafikonin këtë specie, e rrallë për vendet evropiane, por që atje ndesh rëndom sapo të kalosh qendrat urbane, kanë qenë të shumta.
Mediat italiane i kanë kushtuar vëmendje të veçantë këtij trafiku në rritje, duke vënë alarmin. Shoqatat në mbrojtje të kafshëve kanë kërkuar ndërhyrjen e instancave për t’i vënë fre, kontrabandës së breshkave të tokës.
Trafiku i tyre bëhet me mënyra nga më të ndryshme; të futura në kuti në bagazhet e makinave, në valixhe madje edhe me çanta shpine.
Pak ditë më parë në portin e Brindizit, policia doganore arriti të rikuperonte në kohë dy ekzemplarë të rritur të llojit “Testudo Hermanni”, që është në fakt breshka e zakonshme e tokës që e has kudo në Shqipëri.
Ekzemplarët u zbuluan në bagazhin e një fugoni që vinte nga Shqipëria.Dy ekzemplarët ishin fshehur me kujdes, me ç’rast shoferi përgjegjës ishte shtetas shqiptar, banues në Itali.
Në një rast tjetër një turist me origjinë shqiptare por me pasaportë italiane, që kishte udhëtuar nga Durrësi për në Bari i kishte fshehur ekzemplarët e breshkës së tokës në valixhen e udhëtimit. Ai i tha policisë se i kishte marrë si suvenir nga Shqipëria./Sinjali/