Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një vizite që ka zhvilluar në Berat, është nderuar nga kreu i Bashkisë, Ervin Demo, me titullin “Patroni i Kalasë” – më i larti që qyteti 2 mijë e 400-vjeçar jep për personalitetet.
Gjatë një pritjeje, kryetarja e shtetit të Kosovës ka thënë se është e nderuar për këtë titull, i cili i kushtohet Kalasë së Beratit.
“Vërtet është nder i madh që ndodhem para jush për të pranuar titullin “Patroni i Kalasë” që i dedikohet Kalasë së Beratit. Ky është një moment i shënuar jo vetëm për mua si presidente por për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Dëshiroj t’i shpreh falënderimet e mia të përzemërta për të gjithë ata që më kanë shpërblyer me këtë titull”, përkufizoi Osmani.
Presidentja e Kosovës gjendet në Shqipëri për një vizitë dy-ditore, me ftesë nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.
Gjatë të hënës, Osmani është takuar me krerët e shtetit shqiptar, derisa ka theksuar se kryefjala e vizitës së saj në Tiranë ka të bëjë me përpjekjet për unifikimin e politikës së jashtme të të dy vendeve e në arritjen e qëllimeve të përbashkëta.
“Fuqizimi i koordinimit të vazhdueshëm në politikën e jashtme është në dobi dhe në interes jo vetëm të shteteve tona, por edhe të rajonit dhe më gjerë. Prandaj, kryefjala e vizitës sime është bashkërendimi për një strategji dhe veprim të unifikuar të politikës së jashtme”, ka theksuar ajo.
Osmani ka potencuar edhe njëherë rolin e Shqipërisë në mbrojtjen e interesave të Kosovës, sidomos në organizatat ndërkombëtare ku Kosova nuk është ende anëtare me të drejta të plota dhe të barabarta, derisa ka shtuar se Kosova është e përkushtuar të fuqizojë pozicionin e saj ndërkombëtar.
Po ashtu ajo ka kërkuar sërish mbështetjen e shtetit shqiptar, por edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimit Evropian (BE), posaçërisht në raport me dialogun Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe krizën në pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe. /Albanianpost.com