Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, pas takimit që zhvilloi të mërkurën me Ambasadoren e Kosovës në Podgoricë, Ariana Zherka-Hoxha, nëpërmjet një cicërime në rrjetin social “Twitter”, ka thënë se marrëdhëniet mes dy shteteve të vogla ballkanike janë të bazuara në fqinjësi të mirë dhe ndajnë së bashku pespektivën evropiane.
“Marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Kosovës janë miqësore, të bazuara në parimet e fqinjësisë së mirë dhe të perspektivës së përbashkët evropiane. Në një bisedë me ambasadoren Ariana Zherka-Hoxha, theksova rëndësinë e forcimit të ekonomisë sonë, veçanërisht në fushën e tregtisë, turizmit dhe energjisë”, ka shkruar Milatoviç.
Presidenti malazez i ka dhënë rëndësi të veçantë projekteve infrastruktorore siç është tuneli Rozhajë – Pejë si dhe rruga Deçan – Plavë, ndërsa ka shtuar se Mali i Zi mbështet dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën patronazhin e Bashkimit Evropian.
Ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili në një intervistë të tij para disa muajve, shprehu një shqetësim të thellë për rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi, të cilat i fitoi kreu i Lëvizjes “Evropa Tani”, një politikan me orientim liberal, por që mori mbështetje edhe nga partitë pro-serbe dhe pro-ruse.
Megjithatë, në një intervistë për njërën nga gazetat opozitare serbe, presidenti i ri i Malit të Zi, ishte pyetur edhe rreth Kosovës. Pavarësia e Kosovës, pohonte ai, është fakt i padiskutueshëm – kjo është krejt e qartë, kujdesej të sqaronte ai, ndërsa shtonte se Mali i Zi do që Kosova dhe Serbia t’i normalizojnë marrëdhëniet.
/albanianpost/