Kino “Hyrije Hana” nuk ka të ndalur, sjell 3 premiera këtë javë
Një takim joformal i udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor është paraparë të zhvillohet të hënën e 17 korrikut në Tiranë.
I pranishëm në këtë mbledhje pritet të jetë edhe komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varheyli.
Takimi është menduar të zhvillohet në kuadër të përgatitjeve për samitin e Procesit të Berlinit, që do të mbahet në kryeqytetin e Shqipërisë, më 16 tetor.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vendi i të cilit sivjet kryeson Procesin e Berlinit, ka paralajmëruar takimin joformal gjatë turneut të tij nëpër shtetet e Ballkanit Perëndimor, pak ditë më parë.
Ky takim është thënë se ka për qëllim diskutimin dhe koordinimin, për të hartuar kërkesa të përbashkëta, për t’i paraqitur në samitin e tetorit, ku pritet të marrin pjesë udhëheqës të vendeve të Bashkimit Evropian.
Megjithatë, as ky takim joformal nuk pritet të ulë në një tryezë kreun e ekzekutivit shqiptar, Rama, dhe homologun e tij nga Kosova, Albin Kurti, marrëdhënia e të cilëve është ftohur prej disa muajsh.
Megjithatë, sipas Radio Televizionit Shqiptar pjesëmarrjen në takimin joformal të liderëve në Tiranë e ka konfirmuar zv/kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.
Pjesëmarrjen në takimin e Tiranës e kanë konfirmuar të katër liderët e vendeve të tjera, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, si dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Kristo.
Kreu i ekzekutivit kosovar, Kurti, sipas një njoftimi nga zyra e tij, të hënën do të jetë në Greqi, ku do të marrë pjesë në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, i cili është themeluar nga ish-kryeministri helenik, George Papandreou.
Simpoziumi Ndërkombëtar SYMI është themeluar nga ish-kryeministri i Greqisë, George Papandreou dhe organizohet çdo vit.
Ky edicion i sivjetëm titullohet “Cila botë në vitin 2030? Trajtimi i Sindromës Icarus” (Which World in 2030? Addressing the Icarus Syndrome).
Kjo është hera e gjashtë që kryeministri Kurti është pjesëmarrës në këtë organizim. /Reporteri.net/.