“Diplomaci të shëmtuar” e quajti profesori amerikan në John Hopkins University dhe njohësi i dinamikave në Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer, letrën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, drejtuar presidentit serb me rastin e Ditës së Shtetësisë.
Në një shkrim të botuar në faqen e tij zyrtare, ai shkruan se amerikanët po e favorizojnë perspektivën e Serbisë në dialog, pra themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Kjo do të krijojë de fakto një tjetër Republika Srpska. Republika Srpska në Bosnjë dhe Hercegovinë tani po përgatitet të refuzojë autoritetin e gjykatave të Sarajevës. Të njëjtën gjë mund ta presim edhe në Kosovë, nëse Asociacioni formohet me kompetencat ekzekutive që kërkon Beogradi”, tha Serwer.
Ndërkaq, sipas tij, administrata amerikane nuk po e ofron atë që Kosova dëshiron të nxjerrë nga procesi i dialogut, pra njohjen dejure të Serbisë dhe anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
“Normalizimi mund të nënkuptojë njohje ndërkombëtare për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, por jo për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Është e vështirë të imagjinohet një rezultat më i keq për Prishtinën”.
Sipas tij, sinjali që po dërgon Uashingtoni është i qartë: “ne favorizojmë perspektivën e Serbisë në dialog. E vetmja mënyrë për ta bërë këtë lëvizje të pëlqyeshme është që e njëjta gjë t’i ofrohet Kosovës brenda dy ditësh, kur është dita kombëtare e Kosovës”, shtoi ai.
Për ta forcuar edhe me tej argumentin e tij, profesori amerikan theksoi se Serbia nuk është vend aleat për Perëndimin, nuk është në BE e as në NATO, madje ndjek politikën e neutralitetit dhe akoma nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë. /Albanianpost.com