NATO ka një histori të gjatë në promovimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
Kështu shprehet zyrtari i lartë i aleancës, Javier Colomina, një një intervistë me “European Western Balkans”.
Colomina, i cili mban postin e zëvendës Ndihmës Sekretarit të Përgjithshëm i NATO-s për Çështje Politike e të Sigurisë, theksoi se koncepti i ri strategjik i miratuar në Samitin e NATO-s në Madrid qershorin e kaluar riafirmon rëndësinë strategjike të rajonit për Aleancën.
“Rajoni i Ballkanit Perëndimor ka bërë një rrugë të gjatë që nga konfliktet e viteve 1990, por kohët e fundit ne kemi parë tensione të përsëritura, duke përfshirë në Kosovë, si dhe në Bosnje dhe Hercegovinë, me retorikë më agresive, reforma të ngecura dhe aktorë të huaj që punojnë për të minuar progresin”.
Ai shprehet se ka pasur edhe sulme kibernetike, dezinformim, frikësim dhe aktivitete të tjera destabilizuese si ndërhyrja në proceset e brendshme.
Kështu që bashkëpunimi i aleancës me Bashkimin Evropian dhe partnerë të tjerë me të njëjtin mendim mbetet thelbësor për të ruajtur stabilitetin dhe për të mbështetur reformat në rajon.
Arsyeja shumë e thjeshtë: Siguria dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është i rëndësishëm për NATO-n dhe për paqen dhe stabilitetin në Evropë.
I pyetur se si do ta vlerësonte situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor në rrethanat e ndryshuara gjeopolitike të shkaktuara nga pushtimi rus i Ukrainës, ai shprehet se ka pasur një ndryshim tektonik të peizazhit evropian të sigurisë.
“Pushtimi brutal dhe i paligjshëm i Rusisë, shkeljet e përsëritura të së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe sulmet dhe mizoritë e tmerrshme kanë shkaktuar vuajtje dhe shkatërrime të patregueshme”.
E për këtë arsye në këtë sfond, NATO ka ndjekur një qasje të dyfishtë.
“Ne kemi mbështetur Ukrainën, pa u bërë palë në konflikt, duke parandaluar kështu një përshkallëzim të mëtejshëm të luftës në vazhdim përtej kufijve të Ukrainës” .
Për të, në të njëjtën kohë aleanca ka përmirësuar parandalimin dhe qëndrimin e mbrojtjes kolektive, duke e bërë të qartë se të 30 aleatët janë plotësisht të përkushtuar për të mbrojtur dh çdo centimetër të territorit të NATO-s. /Albanianpost.com