Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka deklaruar se Kosova s’ka rrugë tjetër përveç integrimit në struktura perëndimore siç është Bashkimi Evropian, porse ka kritikuar BE-në për mungesë të identitetit dhe të unitetit.
Në një intervistë për Transmetuesin Publik Estonez “Eesti Rahvusringhääling”, ajo shtoi se nuk e di as sa është serioz Bashkimi Evropian.
E pyetur se kur beson që Kosova anëtarësohet në BE, Gërvalla tha se “kjo është një pyetje e vështirë, sepse ne nuk e dimë se sa seriozisht po flet Bashkimi Evropian për integrimin e Ballkanit Perëndimor”.
“Nëse është e mundur, Kosova sigurisht që do të marrë pjesë në këtë proces, por dyshoj shumë se Bashkimi Evropian është i gatshëm për këtë. Vetë Bashkimi Evropian është në kërkim të identitetit dhe unitetit”.
Madje lufta e fundit në Ukrainë për Gërvallën ishte tregues i mjaftueshëm se “Bashkimit Evropian i duhet kohë për t’u bërë komuniteti që duan qytetarët e saj”.
Prandaj, deklaroi që “Kosova duhet të bëhet partnere e ngushtë e NATO-s, sepse ne kemi pasur përvoja të mira me NATO-n”.
“NATO e shpëtoi Kosovën nga gjenocidi, NATO është këtu dhe garanton siguri dhe paqe, tha ajo.
“NATO duhet t’ia hapë dyert Kosovës sa më parë, sepse Kosova është një partner i besueshëm dhe serioz për NATO-n në të gjitha aspektet e rëndësishme”.
Në po të njëjtën intervistë, Gërvalla ka deklaruar se duhet ta kuptojnë të gjithë që Asociacioni i Komunave me Shumicë serbe tashmë është një projekt “i vdekur”.
Deklarimet e Gërvallës për Asociacionin vijnë në një kohë kur ky mekanizëm po kërkohet me ngul nga ndërkombëtarët, veçanërisht amerikanët, si zgjidhje e problemit të serbëve në Veri. /Albanianpost.com