Aprovohet nisja e hetimeve ndaj komisionerit të BE-së Varhelyi, dyshohet se e favorizoi Serbinë në negociata

Parlamenti Evropian inicioi të mërkurën një hetim ndaj Komisionerit për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, mbi dyshimet se nëpërmjet veprimeve të tij në Ballkanin Perëndimor, ka favorizuar Serbinë dhe kështu ka shkelur Kodin e Sjelljes për anëtarët e Komisionit Evropian.

Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, i cili ndihmoi në hartimin e raportit të parlamentit, përmes një cicërime në rrjetin social Twitter, njoftoi se kërkesa e tij është aprovuar dhe se pret me padurim rezultatet e hetimit.

“Me 357 vota pro, 180 kundër dhe 95 abstenime, Parlamenti Evropian ka miratuar kërkesën e time ndaj Komisionit për ta hetuar komisionerin Varhelyi rreth rolit të tij në Ballkanin Perëndimor. Mirëpresë përfundimin e këtij hetimi”, shkroi Reuten.

Eurodeputeti holandez tha të mërkurën se “roli i komisionit është të mbrojë integritetin territorial të Bosnjë dhe Hercegovinës, të promovojë demokracinë në Serbi dhe të sigurojë paqen dhe stabilitetin në Mal të Zi dhe Kosovë. Jo e kundërta”.

Në fillim të muajit janar, presidenti serb Aleksandër Vuçiç sulmoi BE-në për kërkesën e tyre që ai t’i vendosë sanksione Rusisë, duke i quajtur ato një ndërhyrje “brutale” në punët e brendshme të vendit të tij. Ngjashëm veproi edhe Viktor Orban, kryeministri i Hungarisë i cili kritikoi sanksionet e BE-së, duke thënë se ato dëmtojnë më shumë ekonominë hungareze.

Gjithashtu, përveç lidhjeve të Varhelyit me Orban-in dhe Vuçiç-in, Varhelyi thuhet se është shumë i afërt edhe me liderin nacionalist të entitetit serb në Bosnje dhe Hercegovinë, Milorad Dodik, ndaj të cilit Parlamenti Evropian ka kërkuar vendosjen e sanksioneve.

“Raportet e vazhdueshme për komisionerin e Orban-it që shoqërohet me autokratë për të minuar demokracinë kërkojnë veprim të menjëhershëm”, tha Reuten, i cili është edhe raportues për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën në legjislativin e BE-së.

“Mbështetja e qëndrimeve nacionaliste dhe separatiste të Dodik nuk do të ishte vetëm kundër Kodit të Sjelljes për anëtarët e Komisionit Evropian, por edhe lojë me zjarrin”, shtoi ai. /Albanianpost.com

Read Previous

Ekspertët e Vjenës: “Nisma e Berlinit” ka dështuar, katër propozimet e reja për Ballkanin

Read Next

Kryetari i Skenderajt, Nura: Pas vërshimeve janë evakuuar rreth 120 familje, dëmet materiale janë shumë të mëdha