Në pranga dy shqiptarë në Spanjë, të arratisur për tentativë vrasje të anëtarëve të një grupi kriminal rival

Policia spanjolle ka arrestuar në qytetet e Barcelonës dhe Madridit dy shqiptarë që drejtonin një organizatë kriminale dhe ishin arratisur nga vendi për tentativë vrasje të anëtarëve të një organizate rivale kriminale.

Ata janë nën akuza për veprat penale të armëmbajtjes, mbajtjes së eksplozivëve dhe pastrimit të parave.

Sakaq, ky episod është i lidhur me zbulimin e lëndëve plasëse dhe armëve të tipit C-4 gjatë një hetimi në vend.

Nëntorin e kaluar u bë e ditur prania në Spanjë e këtyre dy personave dhe pas përpjekjeve të ndryshme, INTERPOL-i ka lëshuar dy urdhër-arreste ndaj të dyve.

Ngjarjet për të cilat ata akuzohen datojnë në vitin 2021 në Shqipëri, ku organizata kriminale e drejtuar nga të arrestuarit po përgatitej të kryente një sulm për të vrarë disa persona të përfshirë në ndërprerjen e veprimtarisë së tyre kriminale të trafikut të drogës në atë organizatë.

Njëri prej të arrestuarve lidhej me zbulimin në Shqipëri të lëndëve plasëse të ndryshme të tipit C-4, pesë armë zjarri automatik, një armë zjarri të shkurtër së bashku me katërmbëdhjetë gëzhoja, pajisje të ndryshme celulare dhe 88 990 euro cash.

Ai po hetohej po ashtu në Spanjë për këto aktivitete të paligjshme pasi u gjetën tre armë zjarri, dy silenciatorë dhe disa gëzhoja, të gjitha të fshehura mes rrobave.

Ai arriti pas shumë përpjekjeve të lokalizohej në Turqi me qëllim që të kthehej në Barcelonë, ku u arrestua në aeroportin e Barcelonës.

Kurse të dytit iu sekuestruan tre automatikë AK-47, dy gjysmë automatike, dy eksploziv të improvizuar, një armë automatike, një armë zjarri e shkurtër dhe rreth 90 mijë euro në shtëpinë e tij në Shqipëri.

Pas disa hetimeve u mësua vendndodhja e tij në qendër të Madridit, ku pas një operacioni policor për shkak të rrezikshmërisë u arrestua. /Albanianpost.com

Read Previous

123 vjet nga lindja e patriotit, dramaturgut e studiuesit shqiptar, Skënder Luarasi

Read Next

Muriqi: Largimi nga Lazio ishte zgjedhja më e mirë e jetës sime