Eurodeputeti bullgar: Serbia ta respektojë Kosovën e pavarur

Eurodeputeti nga Bullgaria, Angel Dzhambaski, ka thënë se veprimet “shoviniste” të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç  i ngjajnë atyre të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Ai përmes një shkrimi në rrjetin social “Twitter”, ka thënë se Kosova është shtet i pavarur dhe kjo duhet të respektohet nga Serbia.

“Kosova është shtet sovran dhe Serbia duhet ta respektojë këtë. Shovinizmi i Vuçiqit i ngjan veprimeve të Putinit, por nuk duhet të lejojmë përshkallëzimin e konfliktit dhe hapjen e një fronti në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ai.

Më 6 janar, KFOR-i i kishte refuzuar kërkesën Serbisë për rikthimin e trupave në Kosovë.

“Mund të konfirmojmë se përgjigja është dërguar, kthyer, për ushtrinë serbe”, është thënë nga Zyra për Media e KFOR-it në një përgjigje për Albanian Post.

Përgjigja është dërguar fizikisht në pikën kufitare mes Kosovës e Serbisë në Merdare dhe ajo është pranuar nga ushtria serbe.

Se një letër-përgjigje është pranuar nga Serbia e kishin konfirmuar edhe nga Ministria e Mbrojtjes së Serbisë.

Me 16 dhjetor, në vendkalimin kufitarë në Merdarë, KFOR-i kishte pranuar fizikisht një kërkesë të Serbisë për kthimin e deri një mijë pjesëtarëve të forcave të sigurisë serbe në territorin e Kosovës.

Vendimi për këtë kërkesë ishte marrë nga Qeveria e Serbisë.

Pretendim i zyrtarëve serbë për dërgimin e trupave në Kosovë ishte kundërshtuar në mënyrë të prerë nga ana emisarit special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë të dhënë për Radio Evropa e Lirë.

Sipas top-diplomatit amerikan Kosova ka garanci të forta sigurie nga ShBA-të dhe rrjedhimisht një gjë e tillë nuk është e mundur të ndodhë./Albanianpost.com

Read Previous

Ministri i Jashtëm: Hungaria s’do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në organet e BE-së

Read Next

Itali: I fshehën 353 kilogramë kokainë, arrestohen katër shqiptarë