Mbi 30 aksidente me të lënduar e një me fatalitet vetëm dje në Kosovë

Numri i madh i aksidenteve në trafik po vazhdon të jetë shqetësues. Çdo ditë raportohet për aksidente të shumta në komunikacion dhe në të shumtën e rasteve shkaktohen si pasojë e pakujdesisë së shoferëve gjatë vozitjes, duke rrezikuar kështu jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë në trafik, raporton Gazeta Sinjali.

Vetëm gjatë ditës së djeshme kanë ndodhur 33 aksidente me persona të lënduar, si dhe një aksident me fatalitet, ku vdiq një grua 50-vjeçare.

Aksidenti me një të vdekur ka ndodhur në fshatin Novosellë të Pejës, ku u përfshinë dy vetura dhe dyshohet se u shkaktuar nga zyrtarja policore, Hanife Lajqi, e cila tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor. Ajo edhe dy pasagjerët që ndodheshin në veturën tjetër u lënduan rëndë dhe morën trajtim mjekësor, ndërsa vdekja e viktimës u konstatua në vendin e ngjarjes.

Gjatë së hënës kanë ndodhur edhe aksidente tjerë të rënda, siç ka ndodhur në rrugën “Adem Jashari” në Malishevë, ku vetura ka goditur një këmbësor, i cili ka pësuar lëndime të rënda trupore. Shoferi i dyshuar është arrestuar nga Policia dhe i njëjti është dërguar në mbajtje.  

Edhe në Suharekën një veturë ka goditur një këmbësor 13-vjeçar, të cilin e ka përplasur për shkak të pakujdesisë, derisa fëmija ishte duke e kaluar rrugën “Brigada 123”. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, me ç’rast 13-vjeçarja është dërguar në spital për trajtim mjekësor.

Një aksident tjetër ka ndodhur edhe në  në magjistralen Prishtinë-Gjilan,  konkretisht në fshatin Slivovë, ku janë përfshirë katër vetura dhe për pasojë katër persona kanë pësuar lëndime trupore. Në pamjet që ka publikuar Sinjali shihet se automjetet janë bërë llom për shkak të përplasjes.

Kujtojmë se në vazhdimësi bëhet thirrje për kujdes në komunikacion, pasi rastet e aksidenteve me fatalitet nuk po kanë të ndalur dhe shkaktarët më së shpeshti janë moszbatimi i rregullave.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Për 24 orë 51 aktakuza kundër 67 personave, për vepra të ndryshme penale

Read Next

Asnjë fëmi i braktisur në Gjakovë përgjatë vitit 2022