Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Republika e Kosovës nuk ka qasje agresore e me aspirata pushtuese si Serbia.
Sipas tij, Kosova ka synim paqen e stabilitetin, ndërsa Serbia e ka destabilizimin dhe luftën.
“Deklarimet se Republika e Kosovës ka ngritur gjendje gatishmërie janë tërësisht të pavërteta dhe janë pjesë e propagandës së dyshes Serbi- Rusi. Është pikërisht Serbia e ndikuar nga Rusia ajo që ka ngritur gjendje gatishmërie ushtarake, po urdhëron ngritjen e barrikadave të reja, për të arsyetuar dhe mbrojtur grupet kriminale që terrorizojnë në veçanti qytetarët e etnisë serbe që jetojnë në Kosovë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ai ka theksuar se Kosova nuk është e interesuar për luftë, por angazhohet për luftim të krimit dhe terrorizmit, derisa shton se kjo i pengon Serbisë sepse e cila ndër vite ka mirëmbajtur në të gjitha format grupet kriminale në veri të vendit.
“Policia e Kosovës është duke zbatuar si kudo në Republikën e Kosovës mandatin e saj ligjor. Ka detyra të përditshme të tyre e jo gatishmëri për luftë. Kjo vlenë edhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës e cila kryen detyrat e saj të përditshme dhe as që bëhet fjalë për ngritje të gatishmërisë apo angazhim të rezervistëve”, shtoi ai.
“Institucionet e Republikës së Kosovës janë në koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtar që kjo çështje të zgjidhet pa asnjë eskalim të mundshëm. Ky fakt dukshëm po i pengon Serbisë e cila po angazhohet maksimalisht që barrikadat të prodhojnë qoftë edhe viktima në njerëz dhe kjo dëshmohet nga sulmet e njëpasnjëshme të armatosura ndaj zyrtarëve policor, pjesëtarëve të EULEX e së fundmi edhe ndaj KFOR-it”.
Kreu i MPB-së ka potencuar se me barrikadat si mjet, Serbia po lufton sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit fqinj, Kosovës.
“Ndërkaq ne jemi të interesuar të luftojmë krimin dhe bandat kriminale, brenda shtetit tonë, të kujtdo qofshin ato”.
“Kurdo që lufta kundër krimit po shpërfaq që ushtrimi legjitim i kompetencave në vendin tonë është në dobi të secilit qytetar pavarësisht etnisë, Serbia me në krye Vuçiç-in, po tenton me çdo kusht të cenojë vlerat demokratike që shteti ynë ka promovuar dhe do të vazhdojë të mbrojë”.
Sveçla ka shtuar se “ne nuk do të ndalemi drejt mbrojtjes së këtyre vlerave demokratike dhe të qenurit pranë të gjithë qytetarëve tanë pa dallim, pavarësisht tendencave kërcënuese”. /Albanianpost.com