Sveçla: Vuçiq u kthye në rolin e propaganduesit, thotë se polici Neziri u lëndua nga xhamat

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po propagandon lidhur me plagosjen e policit kosovar, Ekrem Neziri, pas incidenteve në veri të vendit.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook ku ka bashkëngjitur edhe pamjet e plagëve të policit Neziri, Sveçla tha se Vuçiq është kthyer në rolin e mëhershëm që kishte në kohën e Millosheviqit, atij të propaganduesit.

“Aleksandër Vuçiq, ish-ministri i propagandës në kohën e Millosheviqit, në mungesë të çdo preteksti e arsyetimi për veprimet kriminale të grupeve që dirigjon, i është kthyer rolit kryesor të mëhershëm, atij të propaganduesit.  Një nga gënjeshtrat e tij të shumta ka të bëjë me plagosjen e zyrtarit policor Ekrem Neziri se kinse është lënduar nga xhamat në sulmet ndaj zyreve të KKZ-së në Mitrovicën e Veriut”, tha ai.

Tutje, Sveçla tha se Policia e Kosovës asnjëherë të vetme nuk ka terrorizuar apo sulmuar asnjë qytetar, aq më pak për shkak të përkatësisë etnike.

“Këto të pavërteta dhe shumë të tjera janë përpjekje të dështuara të Vuçiq, që kanë për qëllim të kamuflojnë sulmet e grupeve të tij kriminale. Policia e Kosovës asnjëherë të vetme nuk ka terrorizuar apo sulmuar asnjë qytetar, aq më pak për shkak të përkatësisë etnike. E vërteta është se grupet kriminale të dirigjuara nga Vuçiq kanë shtënë për t’i eliminuar zyrtarët tanë policor si dhe kanë sulmuar brutalisht e terrorizuar qytetarët tanë. Propaganda e tij më nuk gjenë adresë, askund.

Ne do të vazhdojmë dhe do të qëndrojmë, për të gjithë qytetarët pa dallim e për shkatërrimin e të gjitha grupeve kriminale që dirigjon propaganduesi Vuçiq dhe jo vetëm”.

Read Previous

11 Dhjetor – Dita Ndërkombëtare e Maleve

Read Next

Kompletohen çiftet gjysmëfinaliste, ky është orari