​Pritjet e investitorëve në Gjermani në nivelin më të ulët që nga 1992

Pritjet e investitorëve për ekonominë gjermane ranë në shtator në nivelin më të ulët që nga fundi i vitit 1992 për shkak të mungesave të mundshme të energjisë gjatë dimrit dhe të dhënave shqetësuese nga Kina, tregoi të martën një studim i Institutit ZEW.

Indeksi i pritjeve të ZEW për ekonominë në gjashtë muajt e ardhshëm ra në shtator me 6.6 pikë krahasuar me gushtin, në minus 61.9 pikë, niveli më i ulët që nga dhjetori 1992, treguan rezultatet e vrojtimit.

Ekspertët e tregjeve financiare kanë një vlerësim më të keq për situatën aktuale ekonomike, duke gjykuar nga rënia e indeksit me 12.9 pikë, në minus 60.5 pikë.

Perspektiva për pjesën më të madhe të industrisë gjermane u përkeqësua më tej në shtator për shkak të mungesës së mundshme të energjisë, tha presidenti i ZEW, Achim Wambach.

Kësaj i duhet shtuar një vlerësim më i dobët i rritjes në Kinë, shton Wambach, duke theksuar se të dhënat aktuale statistikore tregojnë tashmë një rënie të porosive të reja, prodhimit dhe eksporteve.

Dhe një studim i veçantë për eurozonën tregoi përkeqësim të pritjeve në shtator, të shprehura në një rënie prej 5.8 pikësh të indeksit në krahasim me gushtin, në minus 60.7 pikë.

Indeksi, i cili mat vlerësimin e investitorëve për situatën aktuale në ekonominë e zonës së aplikimit të monedhës së përbashkët evropiane, ra edhe më shumë, me 16,9 pikë, në minus 58,9 pikë./Indeksonline.net/

Read Previous

Nuk ka rroga për grevistët, komunat i dorëzojnë listat te ministria

Read Next

Kreditimi në Euro po shënon vlera rekord këtë vit, u rrit me gati 40% për 7-mujorin