Mijëra qytetarë udhëtojnë nëpër Kosovë me autobusë. Kompanitë që ofrojnë këto shërbime obligohen me ligj të lëshojnë kupon fiskal për çdo biletë të paguar.
Por rastet e shmangies ndaj tatimit, nuk janë të rralla.
Edhe qytetarë tjerë, kanë pasur të njëjtën përvojë.
“Duhet me dhonë por, kur nuk t’i japin me zor s’mund ua merr”, thotë një qytetar.
“Të gjithë qytetarët e shtetit janë të obligueshëm me dhonë kupona fiskalë, pavarësisht çka shet e çka blen, për hirë të arkës së shtetit që duhet me u mbushë prej tatimeve dhe kontributeve. Prandaj është e obligueshme për të gjithë”, tha një tjetër.
Një punëtor i një kompanie të autobusëve vlerëson se kryesorja është që pasagjeri e kryen udhëtimin, pavarësisht se a merr kupon apo jo.
“Edhe mos me jap kupona fiscal me rëndësi është që pasagjeri e kryen udhëtimin e vet, bileten e din sa është, ma tepër s’muj u merr kurrkush. Kjo është kryesorja”, tha ai.
Por ka edhe të tilla kompani të transportit që rregullisht lëshojnë kuponë për udhëtarë.
Për këto shmangie janë të informuar edhe në Administratën Tatimore të cilët thonë prej vitesh po merren me aktivitete e fushata për të përmirësuar këtë gjendje.
“Aktivitetet tona kanë qenë të përqendruara te pikat kufitare, ku kemi monitoruar ose kemi inspektuar, saktësisht, të gjitha linjat e autobusëve, për të shikuar, për të verifikuar në rast se janë duke i pajisur me kupona fiskalë pasagjerët”, thotë Valentina Bytyqi Sefa nga ATK.
Sivjet për arsye të shmangies së tatimit, vlera e gjobave ndaj kompanive të autobusëve ka shkuar deri në 275 mijë euro.
“Pas çdo inspektimi që bëhet në terren, konstatohen edhe shkeljet tatimore, shkelje kryesisht në mosprintim të kuponit fiskal… Nga aktivitetet që kemi zhvilluar janë lëshuar 108 gjoba për linja të kompanive të ndryshme, ku vlera e gjobave nga këto inspektime që kemi bërë sillet në 275 mijë euro”, tha ajo.
Gjobat që iu shqiptohen kompanive të autobusëve fillojnë nga 150 euro e më pas varësisht shkeljes rritet edhe vlera monetare e gjobës./T7/reporteri.net