Mbrëmë në stadiumin “Fadil Vokrri” , përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka zhvilluar ndeshjen e tretë në kuadër të Ligës së Kombeve.
Pas plot 90’ minutave lojë të zhvilluara në stadiumin “Fadil Vokrri”, Kosova e ka regjistruar fitoren e dytë në Ligën e Kombeve, duke e mposhtur si vendase Irlandën e Veriut me rezultat 3:2.
Fillimisht, ishte Vedat Muriqi ai i cili e zhbllokoi epërsinë i pari, ku shënon në minutën e 9’ nga pika e bardhë për ta kaluar Kosovën në epërsi prej 1:0.
Golin e dytë për “Dardanët” e shënoi anësori i sulmit, Zymer Bytyqi, i cili pas një super aksioni shënon në minutën e 20’ për 2:0.
Kur shihej se pjesa e parë do të përfundonte me këtë rezultat, Shayne Lavery arrin ta shënojë golin e parë për irlandezët, duke e ngushtuar epërsinë në 2:1 në minutën e 45’ të ndeshjes.
Kosova vazhdoi me paraqitje të mirë edhe në pjesën e dytë, ku sulmuesi Vedat Muriqi shënoi golin e dytë personal në ndeshje, dhe të tretin për “Dardanët” në minutën e 52’ të ndeshjes.
Irlandezët arritën ta ngushtojnë përsëri epërsinë, ku në minutën e 83’ Daniel Ballard shënon për 3:2, gol ky që edhe rezultoi të jetë goli i fundit i ndeshjes.
Me pikët e reja, Kosova renditet në vendin e dytë me gjithsej gjashtë pikë të arkëtuara, krahas kundërshtarit të sotëm, Irlandës së Veriut që zë vendin e tretë me vetëm një pikë.
Rezultati final i ndeshjes është 3:2 në favor të Kosovës.